Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bayerni në kërkim të rivalëve të denjë në Bundesligë

(AP) – Dominimi i padiskutueshëm i Bayernit në Gjermani ka ripërtërirë dyshimet rreth konkurrencës së Bundesligës. Bayerni, i cili fitoi titullin e dhjetë rresht në ligë të shtunën, po e bën më të vështirë për drejtuesit e televizioneve shitjen e produktit te një audiencë e lodhur dhe kjo përfundimisht mund të përfundojë duke dëmtuar vetë klubin. Edhe lojtarët e Bayernit pajtohen – skuadrës i duhet një rival i denjë për ta bërë kampionatin gjerman sërish emocionues.

“Nuk është mirë, nuk ka dyshim. Gjithashtu nuk është aq mirë për Bayernin që të jetë përsëri kampion kaq herët”, tha ish-kapiteni i Bayernit, Philipp Lahm. “Mund të ndodhë që ta fitojnë sërish titullin, por duhet të jetë garë më e ngushtë, që Bundesliga të mbetet emocionuese deri në fund dhe të mos vendoset gjithmonë katër ndeshje para fundit”.

Me triumfin e fundit, fitoren e tetë radhazi në ligë ndaj rivalit kryesor, Bayerni është 12 pikë përpara Dortmundit me tri ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

“Futbolli është para së gjithash emocion. Nëse jeni sërish në krye me 12 pikë më shumë se rivali më i afërt me tri ndeshje para fundit, atëherë emocioni mungon”, tha ish-shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge. "Ka mungesë tensioni në krye të tabelës”.

Duke folur me gazetarët javën e kaluar, ish-trajneri i Bayernit, Juergen Klinsmann, tha se do të ishte “shumë, shumë e vështirë” për ta bërë ligën më konkurruese.

Edhe Bayerni e fiton titullin e Gjermanisë për herë të 35-të Futboll Bayerni e fiton titullin e Gjermanisë për herë të 35-të

“Gjatë 30, 40 vjetëve të fundit, Bayerni ka vetëm këtë kulturë fituese. Ata e kanë këtë lloj shtytjeje shtesë kur është me të vërtetë e rëndësishme që të rritet dhe të sigurohet që askush të mos afrohet me ta”, tha Klinsmann, i cili iu referua aftësisë financiare të Bayernit për të tërhequr lojtarët më të mirë të kundërshtarëve.

Leipzigu përfundoi më afër Bayernit sezonin e kaluar. Klubi bavarez më pas punësoi trajnerin Julian Nagelsmann, si dhe transferoi kapitenin Marcel Sabitzer e mbrojtësin Dayot Upamecano nga i njëjti ekip.

Bayerni më parë ka tërhequr sulmuesin Robert Lewandowski dhe lojtarët e Gjermanisë, si Mats Hummels dhe Mario Goetze nga Dortmundi.

“Kjo është ajo që Bayerni e bën me kaq sukses”, tha Klinsmann, i cili vetë iu bashkua si lojtar Bayernit nga Tottenhami në vitin 1995 dhe mori detyrën si trajner në vitin 2008.

Ai tha se është “pothuajse e pamundur t'i thuash jo” Bayernit.

“Kjo është diçka që ata e kanë fituar gjatë 20 apo 30 vjetëve të fundit, ajo lloj ndjenje, ai lloj privilegji. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë për klubet e tjera që ta arrijnë Bayernin”, tha Klinsmann. "Ne dëshirojmë që të kemi pak më shumë dramë për kreun e tabelës”.

Trajneri i Dortmundit, Marco Rose, ishte i shqetësuar që skuadra e tij nuk arriti të bënte një sfidë më të fortë. Megjithatë, nuk ishin humbjet ndaj Bayernit që prishën ambiciet e Dortmundit për titull. Ekipi humbi gjithashtu ndaj Leipzigut, u mposht në shtëpi nga Bayer Leverkuseni, ra kundër Hertha Berlinit, dhe humbi ndeshje të tjera kundër Freiburgut e Borussia Moechengladbachut. Kësaj iu shtuan edhe pikët e humbura kundër Koelnit, Bochumit dhe Augsburgut.

“Ne po flasim për futbollin. Dhe në futboll mund të jesh kampion 10 vjet radhazi, ndoshta edhe 15. Por ka gjithmonë skuadra që përpiqen ta ndryshojnë këtë dhe kjo na përfshin ne”, tha Rose. “Ne do ta rimarrim veten dhe do të provojmë përsëri”.

Edhe Bayerni e fiton titullin e Gjermanisë për herë të 35-të Futboll Bayerni e fiton titullin e Gjermanisë për herë të 35-të

Përgatitjet e Dortmundit për sezonin e ardhshëm tashmë kanë nisur, me transferimin e mbrojtësit Niklas Suele nga Bayerni. Dortmundi raportohet gjithashtu se është në prag të transferimit të reprezentuesve të Gjermanisë, Nico Schlotterbeck dhe Karim Adeyemi nga Freiburgu dhe Salzburgu, respektivisht. Sulmuesi Erling Haaland, megjithatë, pritet të largohet pas sezonit të tij të dëmtuar nga lëndimet.

“Mendoj se ne të gjithë duhet të përpiqemi ta bëjmë kampionatin më emocionues dhe të përpiqemi të fitojmë titullin e kampionit në vitin e ardhshëm”, tha Rose. “Borussia Dortmundi do të jetë pa dyshim një nga ekipet e para që do të tentojë një gjë të tillë sezonin e ri”.