Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bayerni, kundërshtari i preferuar i Mërgim Berishës

Tri ndeshje, tre gola. Ky është bilanci i sulmuesit kosovar Mërgim Berisha ndaj gjigantit të futbollit Bayern Munih. Berisha, 24-vjeçar, tani po luan për skuadrën e Bundesligës, Augsburg.

Të shtunën Augsburgu bëri befasi të madhe duke e mposhtur Bayernin me rezultatin 1:0. Golin e fitores e shënoi pikërisht Berisha. Ai në minutën e 59-të mori top në zonë nga Iago dhe veproi me qetësi. Goditi saktë për ta mposhtur Manuel Neuerin. Doli të jetë momenti vendimtar i ndeshjes, ndonëse portieri i Augsburgut, Rafal Gikieëicz bëri shumë pritje vendimtare.

“Ju thjesht nuk i harroni ndeshje dhe gola si ky. Do të mbetet kujtim shumë i mirë për mua goli i parë në Bundesligë ndaj Bayernit. Por ajo që është edhe më e rëndësishme është që e kam ndihmuar ekipin me golin tim. E kemi ditur se duhet të rezistojmë sot. Kemi luajtur me kurajë dhe kemi dhënë çdo gjë. Po ashtu, me Rafalin kemi pasur portierin që na ka mbajtur në lojë me pritjet e tij”, ka thënë Mërgim Berisha pas ndeshjes me Bayernin.

Për kampionin e Gjermanisë ishte ndeshja e katërt rresht në Bundesligë pa fitore. Në tri ndeshjet e kaluara kishte barazuar, ndërsa të shtunën pësoi. Por humbja erdhi katër ditë pas fitores 2:0 ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

Për Augsburgun ishte fitorja e tretë këtë edicion. Me nëntë pikë renditet në mesin e tabelës.

Berisha ndaj Bayernit kishte shënuar gola edhe sa ishte te Red Bull Salzburgu austriak. Gjatë fazës grupore të edicionit 2020/2021 të Ligës së Kampionëve, Salzburgu i humbi dy ndeshjet ndaj Bayernit, por Berisha shënoi gola në të dy takimet.

Një vit më parë sulmuesi kosovar kaloi prej Salzburgut te Fenerbahçe në Turqi. Por në Superligën turke nuk e kishte shkëlqimin e pritur dhe kohë më parë u huazua për një edicion tek Augsburgu i Bundesligës.

Te skuadra gjermane debutoi më 4 shtator kur luajti 74 minuta ndaj Herthas. Në ndeshjen e dytë, ndaj Werder Bremenit, asistoi për golin e fitores 1:0. Dhe tani shënoi golin e fitores ndaj Bayernit. Pra fillimi i tij në Bundesligë është i suksesshëm. Më 8 gusht ishte paraqitur për Fenerbahçen ndaj Uramiyesporit në Superligën turke dhe kishte realizuar gol në barazimin 3:3. Madje kishte shënuar në minutën e 92-të për të siguruar një pikë.

Fenerbahçe më pas nuk e grumbulloi dhe në fund të gushtit e huazoi te skuadra gjermane.

Ndonëse i lindur në Gjermani, Berisha është rritur te Salzburgu në Austri. Te kjo skuadër ishte shumë i suksesshëm dhe fitoi shumë trofe. Ai ka luajtur 13 ndeshje për Gjermaninë U21 dhe ka shënuar një gol. Ai nuk ka luajtur ende për ndonjë përfaqësuese seniore dhe potencialisht mund të luajë edhe për Kosovën e Shqipërinë.

Berisha vlerëson zhvillimin që e bëri te Salzburgu, por më shumë është i interesuar të shikojë para.

“Jam zhvilluar shumë gjatë kohës në Austri. Kam luajtur te Salzburgu prej kur isha i ri dhe bëhet fjalë për klubin më të mirë në Austri. Stërvitjet e futbollit në Austri janë vërtet të shkëlqyera. Por unë jam lojtar që jeton në të tashmen. Për këtë nuk dua të shikoj shumë në të kaluarën. Më me dëshirë shikoj për të ardhmen”, ka theksuar Berisha.

Artikuj të ngjashëm