Doha, 3 janar - Bayern Munichu është favoriti absolut për ta kapur edhe një trofe të rëndësishëm të vitit të shkuar, pasi të enjten në Katar nis botërori i klubeve me vonesë, kanë shkruar mediumet e huaja të mërkurën.
Ky turne i FIFA-s është dashur të zhvillohet më herët, por ishte shtyrë për shkak të ndikimit të pandemisë së koronavirusit, që edhe tani e ka lënë nën hije turneun. Bayerni u kualifikua në botërorin e klubeve pas triumfit në Ligën e Kampionëve edicionin e shkuar, kurse vitin e shkuar ekipi i trajnerit, Hansi Flick, e mbylli edhe me suksesin në Bundesligë Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Gjermanisë dhe Superkupën e Evropës. Tani, te Bayerni po shpresojnë të bëhen fituesi i tetë rresht nga Evropa i botërorit të klubeve, seri kjo që nisi në vitin 2013 pikërisht me ekipin bavarez që pati triumfuar në Marok. Nëse Bayerni e bën këtë atëherë do të barazohet me arritjen e Barcelonës së Pep Guardiolas që fitoi gjashtë trofe në vitin 2009 – ndonëse botërori i klubeve luhet në një vit tjetër kalendarik.
“Kjo ndoshta do të ishte qershia mbi tortë, por padyshim që do të jetë një sfidë”, tha trajneri Flick. “Është një rast i mirë për ne si ekip që ta nisim vitin me trofe. Kështu që, padyshim se synimi ynë mbetet ta fitojmë botërorin e klubeve dhe besoj se jemi plotësisht të gatshëm për ta dëshmuar këtë”.
Bayerni në këtë turne do të paraqitet me formacionin më të mirë të mundshëm, pasi trajneri Flick në ekip ka përfshirë lojtarët si: Manuel Neuer, Thomas Mueller e Robert Lewandoëski. Megjithatë, Bayerni garat në botërorin e klubeve do t’i nisë javën e ardhshme, kur në kuadër të gjysmëfinales do të takohet me kampionin e Afrikës, Al Alhyn, apo përfaqësuesin e Katarit, Al Duhail. Këto dy skuadra, Al-Duhail dhe Al Ahly, do të takohen në ndeshjen çerekfinale të enjten prej orës 18:30. Botërori i klubeve do të hapet me duelin tjetër, atë kundër Tigresit dhe Ulsan Hyundait prej orës 15:00, që gjithashtu luhet të enjten.
Bavarezët mund të përballen me Palmeirasin në finale
Krahas Bayernit, edhe një skuadër tjetër garat në botërorin e klubeve do t’i fillojë nga faza e gjysmëfinaleve. Bëhet fjalë për skuadrën nga Brazili, Palmeirasin, që vitin e shkuar triumfoi në Copa Libertadores. Si Bayerni, edhe Palmeirasi po shpreson që të luajë në finalen e 11 shkurtit dhe ta fitojë trofeun e dytë brenda pak javëve pas atij të Copa Libertadores. Palmeirasi të dielën do të luajë në gjysmëfinale me fituesin e ndeshjes ndërmjet Tigresit dhe Ulsanit. Tigresi është nga Meksika dhe ka triumfuar në Ligën e Kampionëve të CONCACAFIT, derisa Ulsani i Koresë së Jugut në dhjetor të vitit të shkuar triumfoi në Ligën e Kampionëve të Azisë. Dueli mes ekipit meksikan dhe atij korean-jugor do të luhet në stadiumin “Ahmad Bin Ali” në Al Rayyan, që gjendet në periferi të Dohas. Atmosfera në Doha është e heshtur, krahasuar me botërorin e klubeve të fundit që u mbajt në dhjetor të vitit 2019, i cili pa mijëra mbështetës të Liverpoolit dhe Flamengos ta pushtojnë qytetin. Këtë herë, turneu fillon me Katarin që së fundi ka regjistruar rritje të numrit të rasteve me koronavirus dhe spitalet po mbushen për çdo ditë me të infektuar. Kjo ka bërë që autoritetet lokale të marrin një mori masash, përfshirë ndalimin e tifozëve udhëtues që të dalin jashtë vendit. Rastet e reja gjatë javës së fundit u ngritën trefish më shumë krahasuar me javën e shkuar, sipas të dhënave zyrtare, ndërsa pranimet në spitale për shkak të COVID-19 janë rritur për 85 për qind në krahasim me muajin e kaluar, sipas Ministrisë së Shëndetit Publik të vendit. Që nga e hëna, 249 njerëz kanë vdekur në Katar nga virusi, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 151 mijë njerëz në një vend me një popullsi nën tre milionë banorë.
“Situata është paksa alarmante, por ne si klub jemi të gatshëm për t’i treguar vlerat tona. Natyrisht, e kemi parasysh që atmosfera do të jetë e zymtë, por synimi është të kualifikohemi në gjysmëfinale për të luajtur me yjet e Bayernit. Jemi në Katar për ta përfaqësuar Afrikën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha trajneri i ekipit Al Ahly, Pitso Mosimane.
Testet e obligueshme
Sidoqoftë, Abdulwahab al-Musleh, këshilltar i çështjeve sportive në Ministrinë e Shëndetit të Katarit, pohoi përpara turneut se tifozët, numri i të cilëve do të jetë i limituar për t’u futur në stadium, duhet të kenë me vete testin negativ përpara çdo ndeshjeje. Kjo vjen pas përvojës së finales së brendshme të Kupës së Emirit të Katarit në muajin dhjetor, ku të gjithë 20 mijë tifozëve që morën pjesë në këtë ndeshje iu kërkua të paraqisnin një test negativ. Dhe, kështu, ndërsa ngjarjet sportive në pjesën më të madhe të botës aktualisht po vazhdojnë me dyer të mbyllura, një numër i kufizuar spektatorësh do të lejohen brenda ndeshjeve të botërorit të klubeve. Ata do të lejohen në 30 për qind të kapacitetit në dy stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e këtij turneu, që kanë nga 40 mijë ulëse. Distanca, mbajtja e maskave dhe përdorimi i aplikacionit për gjurmimin e kontakteve të Katarit do të jetë të detyrueshme për të gjithë. Ndërkohë, pas një numri të rasteve në ekipin e Arabisë Saudite, Al-Hilal, gjatë Ligës së Kampionëve të Azisë që u mbajt në Katar në fund të vitit të kaluar, Musleh tha se “ishin marrë disa masa për të parandaluar që një episod i tillë të përsëritet”.
Pandemia tashmë ka ndikuar drejtpërdrejt në turne, megjithëse kampionët e Oqeanisë, Auckland City, u tërhoqën për shkak të masave të karantinës të kërkuara nga autoritetet e Zelandës së Re. Pavarësisht nga spektri i koronavirusit, turneu mbetet një ngjarje e dobishme testi për FIFA-n dhe organizatorët përpara Kampionatit Botëror të vitit 2022, turne ky që gjithashtu do të mbahet në Katar.