Bayern Munichu do ta nisë mbrojtjen e titullit, por edhe triumfin për herë të 11-të rresht në Bundesligë me ndeshjen e vështirë në udhëtim tek Eintracht Frankfurti, që është fitues i Ligës së Evropës.
Frankfurti i fitoi dy nga tri ndeshjet e fundit kundër Bayernit. Ballafaqimi i radhës do të zhvillohet më 5 gusht, që do të shënojë edhe zyrtarisht nisjen e Bundesligës dhe edicionin e 60-të.
Orari i ri i ndeshjeve u bë publik të premten. Vendi i dytë i sezonit të kaluar, Borussia Dortmundi, ndeshjen hapëse do ta ketë kundër Bayer Leverkusenit, më 6 apo 7 gusht. Schalke e promovuar në Bundesligë viziton Koelnin, ndërsa Werder Bremeni luan në udhëtim te Wolfsburgu.
Do të jenë më shumë se dy muaj pa futboll në mes të sezonit për shkak të Kupës së Botës në Katar.
Bundesliga pushimin dimëror do ta nisë më 13 nëntor, dhe do të rikthehet më 20 janar.