Bayern Munichu është duke u munduar që me çdo kusht ta transferojë sulmuesin Harry Kane.
Mediumi “Sky Sports” ka raportuar të dielën se bavarezët tani janë të gatshëm të shpenzojnë 80 milionë euro, plus bonuse të tjera për sulmuesin anglez. Transferimi i tij është kthyer në prioritet për klubin gjerman.
Kane ka kontratë me Tottenhamin deri në verën e vitit të ardhshëm. “Sport Bild” ka shkruar të dielën se trajneri Thomas Tuchel e ka vizituar personalisht anglezin në Londër, për ta bindur që të transferohet në ekipin e Bundesligës gjermane. Raportohet se Kane e dëshiron një kalim të tillë por problemi qëndron te pronari i Tottenhamit, Daniel Levy, i cili nuk dëshiron ta lërë të lirë golashënuesin më të mirë të ekipit. 29-vjeçari Kane kampanjën e kaluar e mbylli me 32 gola të shënuar e pesë asistime, në 49 paraqitje në të gjitha garat.