Dy fitoret e fundit kanë motivuar skuadrën e Prishtinës ta kërkojë edhe fitoren e tretë rresht. Nëse fiton në fundjavë, do të jetë hera e parë që ekipi i trajnerit Ismet Munishi regjistron seri prej tri fitoresh këtë edicion.
Prishtina vikendin e shkuar triumfoi ndaj Ferizajt, 2:1, përpara se ta mposhte Dritën me rezultatin identik në derbin e xhiros së 12-të që u luajt të mërkurën.
Të shtunën Prishtina do të përballet me skuadrën e Llapit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kjo vlerësohet përballja me interesante e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll. Zhvillohet prej orës 18:00. Prishtina është ngritur në pozitën e tretë në tabelë me 18 pikë të mbledhura, nëntë më pak se Drita që është lidere dhe ka një ndeshje më shumë të luajtur. Ndërkohë, Llapi është i gjashti në tabelë me 13 pikë pas dhjetë ndeshjeve të zhvilluara deri më tani. Dueli i parë i këtij sezoni mes këtyre dy skuadrave që u luajt në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë pati përfunduar me fitoren e Prishtinës (2:1). Qendërmbrojtësi i Prishtinës, Egzon Belica, ka thënë se ndaj Llapit do të futen në fushë për ta fituar ndeshjen. Ai ka insistuar se me fitore Prishtina do të forcohej edhe më shumë në pozitën e tretë dhe do ta mbante hapin me skuadrat e para në tabelë. Pas Dritës që ka 27 pikë, renditet Ballkani me 25 pikë të mbledhura dhe dy ndeshje më pak të luajtura.
“Ndeshjen me Llapin e vlerësojmë maksimalisht sepse do të jetë e fortë dhe e luftuar nga të dy skuadrat. Do të jetë një mundësi e mirë për t’iu bashkëngjitur dy ekipeve kryesuese në tabelë dhe për këtë arsye duhet të fitojmë. Llapi ka një ekip mjaft cilësor, por ne i kemi parasysh kualitetin tonë dhe do të mundohemi t’i marrim pikët e plota. Me dy fitoret e fundit është rritur edhe besimi dhe sikurse në secilën ndeshje deri më tani, edhe në këtë do të futemi vetëm për fitore. Aq më tepër që luajmë në shtëpi”, është shprehur Belica, i cili pret edhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve. “Atmosfera në ekip është shumë e mirë pasi fitoret na kanë çliruar paksa. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se duelit me Llapin nuk duhet t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Po ashtu pres që edhe përkrahjen nga tribunat ta kemi sa më të madhe për shkak se tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne. Ata janë arma jonë e fortë dhe motivi shtesë. Kështu që shpresoj që me një lojë të mirë dhe me fitore t’i shpërblejmë për përkrahjen që po na e japin në secilën ndeshje”.
Skuadra e Llapit nuk ka luajtur në mesjavë në kuadër të Superligës. Ka pasur angazhim tjetër. Dueli i paraparë i Llapit ndaj Dukagjinit është shtyrë për shkak se ekipi nga Podujeva ka luajtur ndeshjen e Superkupës “Kosovë-Diasporë”, të cilën e ka fituar për vitin e dytë rresht. Të martën, Llapi triumfoi 3:1 ndaj Kosova Zuerichut për trofeun revial.
Trajneri Tahir Batatina thotë se pas këtij suksesi, ekipi i tij synon ta mposhtë Prishtinën për ta regjistruar fitoren e katërt këtë edicion. Llapi nuk di për humbje në katër ndeshjet e fundit kampionale, ku ka marrë dy fitore dhe dy barazime. Trajneri Batatina thotë se Llapi do të luajë në shtëpinë e tij ndaj Prishtinës, duke pasur parasysh se stadiumi “Fadil Vokrri” i ka sjellë gjithmonë fat ekipit llapjan.
“Sigurisht do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Por, ne duhet të japim maksimumin si skuadër dhe të konfirmojmë formën e mirë që po e kalojmë. Këtë do ta bëjmë me angazhim të madh dhe luftë pa kompromis për t’i marrë pikët e plota. Motivi është i madh në ekip dhe jam optimist”, tha Batatina. “Edhe Prishtina po luan mirë dhe ka një formë të mirë. Por ne luajmë në shtëpinë tonë, pra stadiumin në të cilin i kemi fituar tre trofe dhe gjithmonë na ka sjellë fat për shkak se luajmë para përmendores të legjendës së Llapit, Fadil Vokrri, emrin e të cilit edhe e mbanë stadiumi”.
Të shtunën prej orës 13:00 do të zhvillohet një ndeshje. Pas humbjes nga Prishtina, skuadra e Dritës përballet në shtëpi me Ferizajn. Ferizaj është i fundit në tabelë me tetë pikë dhe në një krizë të rezultateve. Në duelin e fundit, Ferizaj pësoi thellë në shtëpi nga Malisheva (6:0).
Xhiroja do të mbyllet me tri ndeshjet e tjera që zhvillohen të dielën prej orës 13:00.
Superliga – 13
E shtunë
Drita – Ferizaj (13:00)
Prishtina – Llapi (18:00)
E diel
Trepça ’89 – Gjilani (13:00)
Dukagjini – Ballkani (13:00)
Drenica – Malisheva (13:00)
1. Drita 12 8 3 1 25:10 27
2. Ballkani 10 8 1 1 16:6 25
3. Prishtina 11 5 3 3 14:11 18
4. Gjilani 12 5 3 4 12:14 18
5. Drenica 12 4 3 5 14:16 15
6. Llapi 10 3 4 3 14:17 13
7. Malisheva 12 3 2 7 22:22 11
8. Trepça ’89 10 2 4 4 20:21 10
9. Dukagjini 11 2 2 7 9:14 8
10. Ferizaj 12 1 5 6 10:25 8