Pas formës jo të mirë dhe mungesës së rezultateve pozitive që i pati në edicionin e kaluar, Llapi mezi i shpëtoi largimit nga elita e futbollit kosovar. Në barazh fitoi ndaj Vushtrrisë dhe e siguroi garimin në Superligë edhe për një sezon. Me formë jo të mirë ka nisur edhe edicioni i ri për Llapin e udhëhequr nga trajneri Tahir Batatina.
Pas katër ndeshjeve, Llapi është i fundit me dy pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e parafundit, me nga dy barazime e dy humbje. E kanë edhe numrin e njëjtë të golave të pranuar, nga pesë gjithsej. Por, ndryshe nga kampionia Drita që ka shënuar tri gola, Llapi e ka realizuar vetëm një, atë ndaj Dritës. Këndelljen Llapi do ta kërkojë ndaj tri herë kampionit të Kosovës, Ballkanit.
Ndeshja Llapi – Ballkani luhet të dielën nga ora 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Drita ndërkohë e pret Prishtinën e Re, në terrenin me bar sintetik në Gjilan.
Te Llapi synojnë angazhim dhe fokus maksimal për ndeshjen ndaj suharekasve. Të paktën kështu shfaqet në një postim të faqes zyrtare të llapjanëve.
“Angazhim dhe fokus maksimal në stërvitjen e fundit anti-Ballkani”, ka shkruar Llapi të shtunën.
Llapi përballë do ta ketë Ballkanin e trajnerit Orges Shehi, që ka gjetur formën në dy xhirot e fundit, pas fitoreve ndaj Drenicës e Ferizajt. Ballkani ka edhe dy barazime dhe zë vendin e dytë me tetë pikë, një më pak se Dukagjini i vendit të parë.
Trajneri Shehi është i kënaqur me rezultatet e katër ndeshjeve të para të kampionatit.
“Ecuria është e mirë dhe synojmë ta mbajmë këtë ritëm, pse jo edhe të përmirësohemi akoma më shumë. Ndeshja e fundit më kënaqi, pasi skuadra interpretoi shumë mirë fazat e lojës, sidomos tranzicionin. Ne duam të përmirësohemi çdo ditë, në çdo aspekt. Për lojtarët është e rëndësishme të fitojnë besimin në vetvete dhe te shoku i skuadrës. Më vjen mirë që kontributi i tyre po shpërblehet me fitore”, është shprehur Shehi.
Ballkani është i vetmi deri tani që ende nuk ka humbje pas katër xhirove.
“Motivimi në ekip është i lartë pas ndeshjes së fundit. Tash jemi të fokusuar te Llapi, që është një kundërshtar i fortë, por ne jemi gati. Duhet të jemi të përqendruar, të vazhdojmë me të njëjtën disiplinë dhe shpirt gare si në ndeshjet e fundit. Nëse luajmë si grup, kemi gjasa të mira. Ndeshjet si kjo tregojnë karakterin e ekipit dhe për ne janë shumë të rëndësishme. Duam të dëshmojmë që mund të marrim rezultate të mira kudo që luajmë”, ka deklaruar Bleart Tolaj i Ballkanit.
Askush nga skuadrat e tjera nuk i ka tri fitore si Dukagjini i drejtuar nga trajneri Ismet Munishi, në nisje të kampionatit.
Pasi humbi në duelin e parë nga Prishtina në shtëpi, klinasit lidhën tri fitore. Fituan ndaj Gjilanit, Malishevës dhe në xhiron e kaluar ndaj Ferizajt.
Të dielën Dukagjini do të përballet me Drenicën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj.
Drenica e Bylbyl Sokolit po ashtu është në formë të mirë, me dy fitore, një barazim e një humbje. “Kuqezinjtë” renditen në pozitën e katërt me shtatë pikë.
Shtatë pikë ka edhe Prishtina në vendin e tretë.
Prishtina luan në udhëtim te Malisheva, kurse Ferizaj e pret Gjilanin.
Të gjitha ndeshjet nisin në orën 15:00.
Superliga – Xhiroja 5
E diel (15:00)
Malisheva – Prishtina
Ferizaj – Gjilani
Drenica – Dukagjini
Llapi – Ballkani
Drita – Prishtina e Re
1. Dukagjini 4 9
2. Ballkani 4 8
3. Prishtina 4 7
4. Drenica 4 7
5. Prishtina e Re 4 6
6. Ferizaj 4 6
7. Gjilani 4 4
8. Malisheva 4 4
9. Drita 4 2
10. Llapi 4 2