Përzgjedhësi Damir Mullaomeroviq nuk ishte në palestër. Ndihmësit e tij, Bujar Loci e Andin Rashica, qëndronin anash fushës duke vëzhguar, e basketbollistët e Përfaqësueses së Kosovës nën urdhrat e trajnerit kondicional Enver Tahiraj, të hënën në mëngjes nisën përgatitjet për fazën e tretë parakualifikuese për "Eurobasket 2021", që nis në fillim të muajit të ardhshëm.
Në stërvitjen e parë të mbajtur në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë e Sporteve në Prishtinë, të pranishëm ishin 12 lojtarë prej 16 sa janë ftuar nga përzgjedhësi Mullaomeriviq, i cli iu bashkua ekipit në stërvitjen e mbrëmjes, transmeton Koha Ditore.
Lojtarët kryesisht punuan ushtrime fizike dhe gjatë kësaj faze do t'i kenë nga dy stërvitje në ditë përpara ndeshjeve miqësore që do t'i luajnë në udhëtim me Sllovakinë, më 20 dhe 21 korrik.
Ekipit i munguan Arian Çallaku dhe Meriton Ismaili, Atik Koshi e Dardan Kapiti, që po marrin pjesë me ekipin U-20 të Kosovës në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po mbahet në Portugali.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)