Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova nis përgatitjet për Maqedoninë

Të enjten, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e pati grumbullimin e parë, ku edhe nisën përgatitjet e para për parakualifikimet e Eurobasketit 2021.

Nuk ishte i pranishëm përzgjedhësi i ri, Damir Mulaomeroviq, që do ta nisë punën më 29 gusht, dhe ekipin në stërvitjen e parë e udhëhoqi ndihmëstrajneri i parë i tij, Bujar Loci.

Trajneri Loci tha se ndeshjet e parakualifikimeve do të jenë të vështira, por nga grupi pret paraqitje sa më të mirë, raporton KTV.

Nga 14 të grumbulluarit, asnjë nga basketbollistët e huaj nuk ishte i pranishëm, por ata pritet t’iu bashkohen “Verdhekaltërve” në ditët në vazhdim, e i pranishëm nuk ishte as më i miri i skuadrës, Dardan Berisha, që mungoi për arsye personale.

Për po të njëjtat arsye mungoi edhe amerikani i natyralizuar, Justin Doellman, që megjithatë nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e parë të Kosovës.

Me cilësitë e grupit, të kënaqur janë shprehur basketbollistët Fisnik Rugova, Alban Veseli e Leonard Mekaj, të cilët besojnë fuqishëm në kalimin e grupit.

Kosova, që është në Grupin B së bashku me Maqedoninë e Rumaninë, ndeshjen e parë në parakualifikimet e Eurobasketit 2021 do ta zhvillojë kundër Maqedonisë më 13 shtator në Pallatin e Sporteve në Prishtinë.

Artikuj të ngjashëm