Pas emërimit të përzgjedhësit të ri të Kosovës, Damir Mulaomeroviq dhe drejtorit të Përfaqësueses, Granit Rugova, tashmë janë emëruar edhe ndihmëstrajnerët.
Përmes faqes zyrtare FBK-ja konfirmon se Bujar Loci, ish-basketbollist dhe trajner shumëvjeçar është emëruar ndihmëstrajner i parë i përzgjedhësit Damir Mulaomeroviq, ndërsa pas tij është Ilir Selmani, po ashtu ish-basketbollist dhe aktualisht trajner, si dhe Andin Rashica, i cili edhe më parë ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.Trajner kondicional i Përfaqësueses do të vazhdoj të jetë Ugur Vural nga Turqia, transmeton Koha.net.
Mulaomeroviq do të nis punën me Përfaqësuesen e Kosovës që nga data 29 gusht, kur edhe do të filloj përgatitjet për ndeshjen kundër Maqedonisë që do të zhvillohet në Prishtinë më 13 shtator në kuadër të FIBA Eurobasket 2021 Pre-Qualifiers.
Ndërkaq Përfaqësuesja e Kosovës pritet të grumbullohet që nga java e ardhshme, ku stërvitjet do të udhëhiqen nga ndihmëstrajnerët.
Lista e lojtarëve që do të grumbullohen me Përfaqësuesen e Kosovës do të publikohet deri në fund të kësaj jave.