Një ditë pasi Rami Hadar e emërua selektor i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar për kompletimin e shtabit teknik të tij.
FBK-ja të martën ka njoftuar se Bordi i saj, ka marrë vendim që krahas trajnerit Hadar të emërojë edhe anëtarët e Shtabit Profesional të ekipit A të Kosovës.
Bujar Loci, Ilir Selmani e Dritëro Sefaja, do ta kenë rolin e ndihmëstrajnerit, ndërsa Andin Rashica do të jetë i ngarkuar edhe me skautim veç detyrës së ndihmëstrajnerit që do ta ketë. Ndërkohë, trajner kondicional është emëruar Mehmet Ugur.
“Për shkak të analizave të lojës, lojtarëve, përgatitjes së stërvitjeve individuale dhe grupore, përcjelljes së lojtarëve të rinj në Përfaqësueset e Reja të Kosovës, përzgjedhësi i ri i Përfaqësueses A, Rami Hadar, ka propozuar dhe Bordi i FBK-së ka miratuar anëtarët e Shtabit Profesional të profileve të lartpërmendura”, thuhet në njoftimin e FBK-së.