Sport

Basketbollistët nga Shqipëria “kompensojnë” mungesën e vendorëve cilësorë në Kosovë

Numri i vogël i basketbollistëve cilësorë të vendit ka detyruar klubet e Superligës së Kosovës që kohët e fundit t’i kthejnë sytë kah Shqipëria. Në fakt, brenda pak ditëve disa prej klubeve elitare kanë reaguar dhe kanë forcuar radhët me lojtarë nga Shqipëria.

Javën e shkuar ishin Vëllaznimi e Bashkimi që angazhuan basketbollistë nga Shqipëria, derisa duarkryq nuk ka qëndruar as Sigal Prishtina. Organizatori Robert Shestani (187 cm), krah-qendra Juljan Hamati (199 cm) dhe krah-qendra Daniel Lekndreaj (192 cm), pritet të debutojnë këtë javë në Superligën e Kosovës, saktësisht në ndeshjet e xhiros së gjashtë.

Shestani do të luajë me fanellën e Vëllaznimit, Hamati me atë të Bashkimit, kurse Lekndreaj do të luajë me Sigal Prishtinën. Që të tre janë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe luajtën kohë më parë në ndeshjet e raundit të parë parakualifikues për Botërorin e vitit 2023.

Shestani, Hamati e Lekndreaj do të llogariten lojtarë vendorë në ekipet me të cilat kanë firmosur kontratat e vlefshme deri në fund të këtij edicioni.

Në të vërtetë, mungesa e lojtarëve cilësorë në Kosovë ka detyruar klubet elitare që t’i angazhojnë lojtarët nga Shqipëria. Këtë edicion basketbollistët nga Shqipëria e kanë statusin e lojtarit vendor, sipas propozicioneve të garave për 2020/21. Ky rregull vlen vetëm për këtë sezon dhe klubet kosovare mund ta kenë vetëm nga një lojtar nga Shqipëria me status të tillë, pasi i dyti do të llogaritet i huaj.

Edhe në të shkuarën basketbollistët nga Shqipëria kanë luajtur në Kosovë dhe kanë pasur suksese, por nuk kanë gëzuar statusin e lojtarit vendor. Këtë e kanë konfirmuar edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Në Shqipëri, edicioni i ri në basketboll ende nuk ka filluar për shkak se Qeveria nuk po lejon zhvillimin e sporteve në palestra si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit. Madje, ekipet shqiptare ende nuk kanë nisur me stërvitje.

“Nga edicioni 2020-2021 të gjitha klubet e Superligës kanë të drejtën e regjistrimit deri te 1 lojtari nga FSHB (Shqipëria), i cili do të ketë statusin e lojtarit vendor”, thuhet në propozicione të garave.

Në FBK thonë se kanë vepruar në këtë mënyrë për shkak të Ligës Unike të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ende nuk ka startuar. Sipas FBK-së, ky rregull do të jetë edhe ndihmesë për klubet e Superligës së Kosovës, që të mos bëjnë shpenzime të mëdha në këtë kohë pandemie për angazhimin e lojtarëve të huaj. Sa u përket të huajve, klubet këtë sezon mund të regjistrojnë deri në pesë lojtarë, por vetëm tre prej tyre mund të luajnë. Shumica e skuadrave i kanë nga tre amerikanë në përbërje. Por, tashmë e kanë të drejtën e angazhimit të gjashtë lojtarëve që nuk janë nga Kosova.

“Këtë vendim e kemi marrë vetëm për këtë sezon, pra që një lojtar i Shqipërisë të llogaritet si lojtar vendor në klubet tona. Kjo është bërë për shkak të Ligës Unike si dhe pandemisë, në mënyrë që klubet të kenë shpenzime më të vogla dhe në radhët e tyre të kenë më shumë lojtarë vendorë në ekip”, është shprehur Faton Kurshumlija, komisar i garave në FBK.

“Edhe pse procedurat e regjistrimit i kanë të ngjashme me lojtarët e huaj, ata të Shqipërisë do të llogariten vendorë. Megjithatë, vetëm një lojtar nga Shqipëria në ekip do të llogaritet vendor, pasi i dyti do ta ketë statusin e të huajit”.

Shestani, Hamati e Lekndreaj tashmë u janë bashkuar klubeve të tyre në Kosovë. Te Sigal Prishtina kanë konfirmuar debutimin e Lekndreajt në ndeshjen kampionale kundër Vëllaznimit, të mërkurën. Te Vëllaznimi do të aktivizohet Shestani. Që të dy kanë luajtur për Vllazninë e Shkodrës, derisa Hamati, që do të luajë për Bashkimin kundër Ponte Prizrenit, ka qenë pjesë e Teutës së Durrësit.

Në klubet kosovare kanë pranuar se mungesa e vendorëve cilësorë në ligë, i ka shtyrë që të intervenojnë me përforcime nga Shqipëria.

Në të vërtetë, ka kohë që klubet e vendit përballen me mungesë të lojtarëve cilësorë. Për këtë përgjegjësia më së shumti bie mbi klubet, që nuk kanë investuar në lojtarë të rinj. Në fakt, në basketboll investohet goxha shumë, por lojtarë të rinj nuk po dalin. Edhe te Kosova ka mungesë të konkurrencës. Për këtë i domosdoshëm është natyralizimi i lojtarëve amerikanë. Në skuadra, amerikanët, ndonëse aktualisht fare të lirë e ndonjë vjen edhe falas, janë thuajse pa konkurrencë.

“Ne tashmë e kemi marrë Daniel Lekndreajn, që do të debutojë ndaj Vëllaznimit. E kemi shfrytëzuar rregullin e FBK-së, me të cilin Lekndreaj llogaritet si vendor, por njëkohësisht e kemi transferuar atë për shkak të mungesës së lojtarëve cilësorë në vendin tonë. Në gishta mund t’i numërosh vendorët cilësorë pasi edhe niveli i lojës dhe i ligës nuk është i kënaqshëm. Besojmë se me lojtarin nga Shqipëria që tashmë është vendor, do të kemi ekip më të fortë”, ka thënë Agon Abazi, sekretar i Sigal Prishtinës.

Image

Ndërkohë, te skuadra e Bashkimit janë të bindur se ardhja e Hamatit do ta bëjë dukshëm konkurrencën më të fortë në ekip. Sipas trajnerit Illmen Bajra, Hamati do të jetë një aset shtesë për ekipin e tij, që këtë edicion ka një fitore e katër humbje.

“Mungesa e lojtarëve vendorë të mirë në treg, por edhe mungesa e konkurrencës në ekip kanë bërë që të reagojmë me angazhimin e Juljan Hamatit, që ka përvojë nëpër ekipet e Shqipërisë dhe është pjesë e rregullt e kombëtares. Me ardhjen e tij, besoj se do të rritet dukshëm konkurrenca në ekip që është e domosdoshme”, është shprehur Bajra.

Nuk do të jenë vetëm Vëllaznimi, Bashkimi e Sigal Prishtina që këtë edicion pritet të angazhojnë lojtarë nga Shqipëria. Një veprim të tillë e kanë paralajmëruar edhe skuadrat e tjera, përfshirë këtu edhe Rahovecin.

Image

“Natyrisht që e kemi parasysh këtë rregullin e këtij sezoni që një lojtar nga Shqipëria të llogaritet vendor. Edhe ne si klub nuk përjashtojmë mundësinë që të angazhojmë një lojtar nga Shqipëria në fillim të vitit tjetër, por natyrisht nëse u përshtatet kërkesave tona. Ne do të mundohemi të marrim lojtarë vendorë, por vetëm cilësorë edhe pse këtë sezon po duket të jetë e vështirë për shkak të të gjitha rrethanave”, është shprehur kryetari i Rahovecit, Alban Rama.

Edhe në Superligën e femrave, ekipet mund të angazhojnë lojtare nga Shqipëria, por ato nuk llogariten si vendore. Ato mund të regjistrohen duke paguar tarifën si vendore, por konsiderohen të huaja. Këtë edicion ekipet e femrave mund të angazhojnë dy të huaja dhe një lojtare të Shqipërisë, por vetëm dy prej tyre mund të jenë njëkohësisht në parket. Skuadra e Prishtinës ka në radhët e veta dy lojtare nga Shqipëria, Enxhi Xhanaj e Elektra Zykaj.