Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pasi hoqi dorë nga garat evropiane, Prishtina heq dorë edhe nga lojtarët e huaj

Sigal Prishtina ka prezantuar ekipin për sezonin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll. Prishtina është e vetmja skuadër që nuk është përforcuar me lojtarë të huaj, ndërsa në përbërje nuk ka ndonjë yll të madh.

Prishtina, që vlerësohet skuadra më e madhe në vend dhe ka numër rekord të titujve, ka vendosur të startojë vetëm me lojtarë vendorë.

Ndonëse pa të huaj dhe me përbërje solide të vendorëve, Prishtina synon të jetë prej skuadrave kryesore në edicionin e ri.

Prishtinasit janë përforcuar me Altin Morinën e Arian Qallakun, që erdhën nga Rahoveci. Në skuadër kanë mbetur kapiteni Edmond Azemi dhe alo-qendra Fisnik Rugova.

Ka kohë që Prishtina llogarit në shumë në lojtarë të huaj. Por, këtë edicion nuk luan në gara evropiane dhe ka vendosur për më pak shpenzime. Prishtina, pos në Superligë, do të garojë edhe në Ligën Unike.

“Bardhekaltërit” besojnë se ka ardhur koha që t’u jepet më shumë hapësirë lojtarëve vendorë. Krerët e klubit prishtinas besojnë se ky fond i basketbollistëve është i duhuri për sezonin e ri.

Edhe Prishtina - nga “le të jetë sezoni ynë” në dështim total Basketboll Prishtina - nga “le të jetë sezoni ynë” në dështim total

“Besojmë që ka ardhur koha t’u japim rast lojtarëve vendorë. Ne besojmë se këtë mundësi lojtarët tanë do ta shfrytëzojnë për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë në sezonin e ri. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por ne kemi besim që do të arrijmë suksese”, thuhet në një deklaratë të Prishtinës për KOHËN.

Te skuadra e Prishtinës thonë se paraqitja me lojtarë vendorë nuk ka të bëjë me krizën e shkaktuar nga koronavirusi, që ka prekur të gjitha skuadrat.

“Ne nuk kemi dashur të sjellim lojtarë të huaj. Kjo nuk ka të bëjë me krizën që ka shkaktuar koronavirusi. Lojtarët e huaj të nivelit çfarë kanë sjellë disa ekipe nuk është e vështirë të financohen, pasi ata lojtarë kushtojnë më lirë se vendorët dhe ne kemi preferuar që t’u japim më shumë hapësirë lojtarëve të rinj”.