Numri i lojtarëve të huaj për sezonin 2022/23 në Superligën e Kosovës në basketboll është rritur, përkundër mungesës të lojtarëve vendorë. Shtimi i basketbollistëve të huaj në përbërjet e skuadrave kosovare është konfirmuar edhe nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) pas mbledhjes së bordit të saj, në të cilën janë miratuar propozicionet e garave për edicionin e ri, që nis në muajin shtator. E në kuadër të diskutimit të propozicioneve të garave është vendosur që të ndryshohet edhe rregulli i paraqitjes së lojtarëve të huaj në përbërjet e skuadrave. Prej rregullit “3+1” që ishte sezonin e shkuar, është bërë në “3+2” për edicionin e ri. Pra, skuadrave elitare iu është shtuar edhe nga një i huaj në përbërjet e tyre.
Përderisa sezonin e fundit aktivizoheshin tre të huaj njëkohësisht në parket dhe një qëndronte në bankë, tani skuadrat do të kenë të drejtën e dy lojtarëve të huaj t’i ulin në bankë.
Ky ndryshim i rregullit vetëm e konfirmon edhe më shumë mungesën e lojtarëve vendorë, e cila u vërejt haptazi në ndeshjen e Përfaqësueses së Kosovës muajin e shkuar ndaj Danimarkës, në kuadër të fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”, në të cilën “Dardanët” u eliminuan me tri humbje e një fitore në katër duele të luajtura .
Në FBK kanë thënë se kërkesa për shtimin e numrit të huajve ka ardhur nga skuadrat e Superligës, të cilat kanë kërkuar t’i kenë katër lojtarë të huaj në parket dhe një në bankë “4+1”.
Javën e shkuar, pesë skuadra elitare: Peja, Sigal Prishtina, Rahoveci, Bashkimi dhe Ponte Prizreni kishin deponuar kërkesë në FBK për ndryshimin e rregullores për paraqitjen e lojtarëve të huaj. Kishin kërkuar t’i kenë nga pesë në përbërje, ndërsa katër prej tyre të luajnë në të njëjtën kohë në parket. Në kërkesën e klubeve thuhej se me këtë ndryshim, do të rritej cilësia e lojtarëve të huaj dhe ajo e lojtarëve vendorë përmes konkurrencës organike brenda ekipit. Po ashtu, aludonin se me shtimin e të huajve në përbërje, do të rritej edhe shikueshmëria nëpër palestra.
“Klubet kanë kërkuar që t’i kenë sipas mundësive pesë lojtarë të huaj në përbërje dhe njëra prej arsyeve për këtë kërkesë ishte për ta rritur konkurrencën brenda ekipeve për sezonin e ri”, është shprehur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten për KOHËN. “Kështu që, rregulli 3+2 për sezonin e ri është shumë më i kapshëm sesa rregulli 4+1, që e kërkonin klubet. Rregulli 4+1 do të ishte shumë i dëmshëm për basketbollin në përgjithësi”.
Sezonin e fundit, numri i të huajve që kanë defiluar në elitën e basketbollit kosovar ishte i madh. Të gjitha skuadrat, me përjashtim të Dritës, kishin nëpër përbërjet e tyre të paktën nga katër të huaj. Madje, kishte edhe ekipe me nga pesë të huaj, të cilat ishin të detyruar që në secilën ndeshje kampionale t’i përzgjedhin katër duke e lë njërin jashtë përbërjes.
Kjo ka ndodhur te Trepça që doli nënkampione, si dhe te skuadra e Pejës që triumfoi në Ligën Unike. Në fakt, këto dy skuadra natyralizuan lojtarë në fillim të këtij viti, që të mund ta shtonin numrin e vendorëve në ekip dhe të lironin vend për një të huaj në përbërje. Me pasaporta të Kosovës u pajisën Amin Hot te Trepça dhe Daniel Lekndrejaj te Peja. Hot prej fillimit të këtij viti llogaritet lojtar vendor, pasi është pajisur me pasaportë të Kosovës. 29-vjeçari ka qenë pjesë e gjeneratave të reja të Malit të Zi në basketboll (kadetë dhe juniorë). Ai asnjëherë nuk ka arritur të luajë për Përfaqësuesen A të shtetit fqinj dhe tani një gjë të tillë po e realizon me Kosovën. Boshnjaku Hot është nga Rozhaja. Ai debutoi te Kosova në humbjen e thellë nga Danimarka në Naestved.
Një tjetër lojtar nga Mali i Zi, Lekndrejaj, edhe pse është nga Shqipëria, është llogaritur i huaj, kurse prej fillimit të këtij viti ka statusin e lojtarit vendor. Me nënshtetësi të Kosovës së fundi janë pajisur edhe dy basketbollistë të tjerë. Bëhet fjalë për Jetmir Zeqirin dhe Jan Palokajn, që ishin pjesë e Sigal Prishtinës. Ndërkohë, Lejson Zeqiri, që po ashtu ishte te Prishtina, e posedon pasaportën e Kosovës. Në FBK thonë se janë ekipet e Superligës që kanë aplikuar për t’i pajisur lojtarët me pasaporta të Kosovës, gjë që nuk mund të bëhet pa e pasur letrën mbështetëse nga Federata. Rritja e numrit të huajve nuk i ka pëlqyer aspak ish-basketbollistit të disa skuadrave në Kosovës, Ismet Feratit. Ferati ka thënë se ky vendim i zvogëlon edhe më shumë gjasat për lojtarët vendorë, sidomos ata që kanë nevojë për minutazhë për t’u zhvilluar. Në të vërtetë, këtë vendim, Ferati e quan shqetësueses dhe thotë se pasojat do të barten edhe në nivel të përfaqësueseve. Ai insiston se me kërkesën për ta ndryshuar rregullin e të huajve në përbërje, klubet e fshehin mospunën e tyre me gjeneratat e reja.
“Vendimi për pesë lojtarë të huaj, në çfarëdo forme nuk është aspak i mirë, pasi edhe me 3 lojtarë në parket apo me katër nuk ka ndonjë dallim të madh. Ndoshta, shikuesve të thjeshtë do t’u duket i mirë, por të gjithë atyre që marrin vesh në basketboll, ky vendim brengosës”, është shprehur Ferati. “Lojtarët vendorë këtë vit do të kenë një rol të margjinalizuar në ekip dhe si pasojë e kësaj, në vitet e ardhshme do të kemi rezultate të mira të përfaqësueseve sikurse këtë verë. Mendoj që klubet e Superligës vetëm e fshehin mospunën e tyre me kategori të reja, ndërsa FBK me këtë përkrahje të këtij vendimi do të ketë fatkeqësisht rezultate jo të mira”.
Deri më tani FBK-ja ka pesë amerikanë të natyralizuar: Justin Doellmanin, Shawn Jonesin, Malcolm Armsteadin, Scott Bamforthin e Divine Mylesin. Ndërkohë, pasaportën e Kosovës e ka edhe Mikaile Tmushiq, që është pjesë e Kosovës dhe ka prejardhjen nga Peja. Në sezonin e ri, tri klube elitare do ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kampioni Golden Eagle Ylli do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa Trepça e Sigal Prishtina në ato të FIBA Europe Cup.