Sport

Rregulli që i ndalon klubet të regjistrojnë mbi gjashtë basketbollistë të huaj

Deri në sezonin e kaluar klubet e Superligës së Kosovës në basketboll kanë ndërruar lojtarë të huaj pa limit. Madje, kanë regjistruar edhe deri në dhjetë sosh brenda një edicioni, vetëm e vetëm për ta kërkuar suksesin.

Megjithatë këtë edicion praktika e ndërrimit dhe regjistrimit të të huajve pa limit pritet të ndryshojë tërësisht. Me rregulloret e aprovuara, klubet kanë llogari të regjistrojnë deri në gjashtë të huaj. Jo edhe më shumë.

Skuadrat që duan ta regjistrojnë lojtarin e shtatë të huaj duhet të “maten mirë” nëse duan ta bëjnë një veprim të tillë. Tarifa për regjistrimin e lojtarit të shtatë të huaj për këtë edicion është 5000 euro. Një shumë e tillë do të paguhet edhe për lojtarin e tetë të huaj. Për të nëntin dhe të dhjetin tarifa shkon në dhjetë mijë euro për regjistrim, ndërsa përtej të dhjetit çdo lojtar i huaj mund të regjistrohet për 20 mijë mirë.

Ky është neni i ndryshuar në propozicionet e garave për sezonin 2022/23 në Superligën e basketbollit në Kosovë. Tarifën prej 500 eurosh për regjistrim të lojtarit klubet mund ta paguajnë vetëm për gjashtë basketbollistët e parë të huaj.

“Ekipet e Superligës së Meshkujve do të paguajnë shumën prej 500€ për gjashtë lojtarët e parë të huaj të regjistruar; shumën prej 5000€ për lojtarin e shtatë dhe të tetë të huaj të regjistruar; shumën prej 10.000€ për lojtarin e nëntë dhe të dhjetë të huaj të regjistruar; dhe shumën prej 20.000€ për të gjithë lojtarët e huaj të regjistruar shtesë përtej kësaj shifre”, thuhet në nenin 11 të propozicioneve të garave për këtë edicion.

Klubet e kanë afatin e caktuar për t’i dhënë vërejtjet e tyre para aprovimit të propozicioneve. Por tradicionalisht klubet paraqesin fare pak vërejtje. Madje shumica as që e lexojnë propozimin e bërë. Dhe më pas kur përballen me situatën e re, paraqesin vërejtje e ankesa.

Kështu klubeve elitare nuk po iu pëlqen aspak ky ndryshim, ndonëse e kanë votuar unanimisht dhe pa kundërshtime para sezonit të ri. Ndërsa në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) insistojnë se me këtë rregull po i mbrojnë lojtarët vendorë, por edhe klubet nga ndërrimi i shpeshtë i të huajve dhe shpenzimet e mëdha.

Në fakt, klubet mund të regjistrojnë ndonjë lojtarë të huaj pa tarifën jashtë gjashtëshes së parë, me kusht që basketbollisti të jetë i regjistruar në Kosovë. E një gjë të tillë ditë më parë e ka shfrytëzuar Bashkimi që kishte gjashtë të huaj. E ka larguar njërin prej tyre dhe ka angazhuar Dajaun Grafin, i cili sezonin e shkuar ka luajtur te Golden Eagle Ylli, duke i shpëtuar tarifës prej pesë mijë eurosh. Drejtori sportiv i Bashkimit, Arlind Kaçaniku, insiston se ky “rregull” i ri nuk është aspak në favor të klubeve. Sipas tij, ka gjasa që klubet të regjistrojnë edhe më shumë se gjashtë lojtarë të huaj brenda një edicioni për shkak të rrethanave të ndryshme.

“Mendoj se ky rregull, që sipas meje është famëkeq, nuk është aspak i përshtatshëm për klubet dhe në të njëjtën kohë shumë i dëmshëm. E them këtë duke pasur parasysh edhe buxhetin që e kanë në dispozicion. Nuk mund ta kuptoj dhe pranoj se si duhet të paguhet një tarifë e tillë aq e lartë nëse bën ndryshime në ekip pas lojtarit të gjashtë të huaj në dispozicion. Ne kishim fat me Grafin që e kishte regjistrimin në Kosovë dhe nëse eventualisht duhet të bëjmë ndonjë ndërrim tjetër dhe ai nuk e ka regjistrimin në Kosovë, atëherë duhet të paguajmë pesë mijë euro”, ka thënë Kaçaniku. “Edicioni është i gjatë dhe ndërrimet e të huajve mund të ndodhin për shumë arsye. Nganjëherë duhet ta largosh lojtarin për shkak të disiplinës apo lëndimit, por edhe performancës. Ekipi i bën regjistrimet e të huajve në fillim të sezonit që mendon se janë të duhurat, por me kalimin e ndeshjeve duhet të bëhet ndonjë ndryshim. Ky rregull i ri na penalizon dhe nëse nuk kemi buxhet mjaftueshëm, atëherë duhet ta përfundojmë edicionin me gjashtë të parët e regjistruar dhe mund të dështojmë për shkak se nuk kemi mundur të bëjmë ndonjë ndërrim eventual”.

Edhe te KB Rahoveci janë kundër këtij rregulli. Këtë e pranon trajneri Muhamed Thaqi. Në fakt, Rahoveci ka vetëm pesë të huaj të regjistruar dhe me tarifën standarde prej 500 eurosh mund ta bëjë edhe një regjistrim për ta plotësuar kuotën e gjashtë të huajve. Sipas Thaqit, tarifën prej pesë mijë apo dhjetë mijë eurosh për regjistrim, ndoshta nuk e ka as Euroliga. Ai thotë se këto tarifa regjistrimi janë ndër më të lartat në rajon dhe mbeten të papërballueshme për skuadrat me buxhet të vogël.

“Nuk besoj që ka ligë ku regjistrimi i një të huaji kushton pesë mijë apo dhjetë mijë euro. Madje, as në Euroligë nuk është kjo tarifë”, është shprehur Thaqi. “Ky rregull së pari i dëmton klubet me buxhet të ulët. Ato që kanë buxhet të madh mund të mos e kenë problem ta paguajnë një tarifë të tillë, por te Rahoveci dhe disa klube me buxhet të ulët është vështirë. Dhe, këto klube janë të dëmtuara në këtë rast”.

Në FBK mendojnë ndryshe dhe numërojnë arsyet që i kanë shtyrë ta bëjnë këtë rregull për këtë edicion.

“Arsyeja ka qenë të mbrohen lojtarët vendorë, por edhe klubet të fokusohen dhe të bëjnë sa më pak shpenzime në lojtarët e huaj. Pra, ta bëjnë përzgjedhjen e tyre në mënyrë sa më të mirë sesa në edicionet e shkuara”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. “Me një fjalë, kjo është një masë e vetëdijesimit ndaj klubeve për lojtarët. E njëjta tarifë është edhe për trajnerët”.

Në të vërtetë klubet trajnerin e parë të huaj për këtë edicion e kanë regjistruar me tarifë prej 500 eurosh, ndërsa në rast ndërrimi dhe për ta regjistruar të dytin, kjo shumë ngrihet në dy mijë euro për t’u rritur edhe më tej nëse ka ndryshim në trajner. Edicionin e shkuar, klubet kanë bërë deri në tri ndërrime të trajnerëve.

“Personalisht tarifa e trajnerëve po më pëlqen shumë sepse unë nuk e kam këtë problem. Mendoj se klubet duhet t’i kthejnë sytë kah trajnerët vendorë dhe të mos sjellin trajnerë të huaj që nuk kanë ndonjë bagazh apo përvojë”, ka thënë Arbnor Rifati, trajner i Ponte Prizrenit. “Sa i përket rregullit të lojtarëve, unë i kam vetëm katër të huaj të regjistruar dhe kam hapësirë edhe për dy me tarifën standarde. Të gjitha klubet ishim në takim para se ta aprovonim këtë rregull dhe askush nuk e ka kundërshtuar. Tani, jemi të obliguar t’i përmbahemi apo nëse dikush dëshiron shpenzime shtesë, atëherë mund t’i bëjë ato”.

FBK-ja për këtë edicion ka aplikuar rregull të njëjtë edhe në Superligën e Femrave. Për pesë lojtaret e para të huaja të regjistruara, klubet do të paguajnë nga 250 euro. Pas këtij numri, tarifa rritet.

“Ekipet e Superligës së Femrave do të paguajnë shumën prej 250 euro për pesë lojtaret e para të huaja të regjistruara; shumën prej 1000€ për lojtaren e gjashtë dhe të shtatë të regjistruar; shumën prej 2000€ për lojtaren e tetë dhe të nëntë të regjistruar; dhe shumën prej 10.0000€ për të gjitha lojtaret shtesë të regjistruara përtej kësaj shifre”, thuhet në propozicionet e garave.

Ka pasur raste kur klubet kanë ndërruar lojtarët e huaj thuajse çdo muaj. Dhe totali për një edicion ka shkuar mbi 20 të huaj. Me tarifat e reja kjo ka pak gjasa të ndodhë.