Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Basketbollistet e Kosovës U18 shënojnë fitoren e parë në Evropianin e divizionit C

Pas dy humbjeve të thella në dy ndeshjet e para në Kampionatin Evropian të divizionit C, basketbollistet e Kosovës U18 kanë shënuar fitore në duelin e tretë të fazës së grupeve.

Kosova, të enjten ka triumfuar ndaj Moldavisë, e cila regjistroi humbjen e tretë në po aq ndeshje të luajtura deri më tani.

Në duelin e luajtur në palestrën “Dhimitraq Goga” në Durrës, Kosova triumfoi me shifrat 85:61. Kosova ishte më e mirë se Moldavia gjatë tërë ndeshjes dhe i fitoi të gjithë çerekët. Shkëputjen Kosova në këtë takim, e bëri në pjesën e parë, të cilën e mbylli me rezultatin 40:24.

Vetëm çereku i tretë ishte paksa më i barabartë pasi përfundoi me shifrat 23:22. Kosova e fitoi thellë edhe periudhën e katërt (22:15) për ta konfirmuar fitoren bindëse.

Kjo fitore e Kosovës vjen pas humbjeve nga Shqipëria dhe Armenia. Era Broja ishte më e dalluara me 19 pikë, 8 kërcime e 6 asistime, ndërsa pikë dyshifrore te Kosova, realizuan edhe Malvina Haziri (17), Olsa Tahiri (15) e Flutura Mehmeti (12).