Basketbollistet e Kosovës U16 kanë fituar ndaj Moldavisë, të enjten mbrëma në Pejë. Por fitorja nuk u ka mjaftuar për të bërë vend në gjysmëfinale të Evropianit të Divizionit C.
Kosova U16 fitoi me rezultat 56:43. Anila Fazliu u dallua te Kosova me 11 pikë, tetë kërcime e katër asistime. I kishte edhe gjashtë topa të humbur.
Kosova U16 përfundoi e treta në Grupin B me një fitore e dy humbje. Moldavia përfundoi e katërta, duke i humbur të tri ndeshjet. Malta dhe Shqipëria avancuan në gjysmëfinale nga dy pozitat e para në grup.
Kosova e Moldavia do të luajnë për plasman nga pozitat pesë deri në tetë.
Në xhiron e parë, Kosova humbi 60:43 nga Shqipëria, ndërsa Malta fitoi 90:12 ndaj Moldavisë. Në xhiron e dytë Shqipëria fitoi 67:45 ndaj Moldavisë, ndërsa Malta e mposhti Kosovën me rezultat 73:48.
Të enjten, Malta fitoi 59:41 ndaj Shqipërisë për ta fituar grupin.
Nga Grupi A në gjysmëfinale janë kualifikuar Qipro dhe Armenia, ndërsa Gjeorgjia dhe Gjibraltari luajnë për plasman.