Sport

Basketboll, Irlanda publikon listën për duelin me Kosovën

Selektori i Përfaqësueses së Irlandës në basketboll, Mark Keenan, ka përzgjedhur tre basketbollistë të cilët më herët nuk kanë luajtur për shtetin e tyre.

Këta tre basketbollistë dhe nëntë të tjerë, do të luajnë të enjten në duelin e fazës parakualifikuese evropiane për Kupë të Botës 2027 kundër Kosovës.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Irlandës do të luhet në “Pallatin e Sporteve” në Prishtinë dhe nis në orën 19:00.

Kosova është në Grupin A me Irlandën, Zvicrën dhe Azerbajxhanin.

James Beckom, David Lehane dhe Rapolas Buivydas, pritet të debutojnë me Irlandën kundër Kosovës.

Gjashtë basketbollistë të tjerë janë në listën e rezervistëve, ndërsa ata mund të shfrytëzohen për duelin e së dielës ndaj Zvicrës.

Përzgjedhësi Keenan e ka vlerësuar duelin ndaj Kosovës si shumë të vështirë.

“Po shohim para për ta nisur mbarë kampanjën. Kemi fytyra të reja dhe mezi pres t’i shoh Jamesin, Davidin dhe Rapolasin në debutim në nivelin e seniorëve. Është e qartë se ngushtimi i listës në 12 basketbollistë është gjithmonë i vështirë. Ata të cilët mungojnë ndaj Kosovës të enjten, mund të ftohen për duelin kundër Zvicrës të dielën”, ka deklaruar selektori Keenan.

Irlanda garon në nivelin e kualifikimeve për Kupë të Botës për herë të parë, dhe kjo është mundësi e shkëlqyer për kapitenin Sean Flood.

“Grumbullimi me pjesën tjetër të skuadrës është gjë e mirë. Kemi basketbollistë të rinj, me të cilët duhet të përballemi me kundërshtarët. Kemi pasur javë të ngjeshur, por kjo na pret nëse duam të luajmë në nivelin e Kupës së Botës. Hyjmë në këtë kampanjë si autsajder, por do ta shijojmë këtë sfidë”, ka deklaruar kapiteni Flood.

Fituesit e tri grupeve, bashkë me ekipin e dytë më të mirë, do të avancojnë në fazën e dytë të parakualifikimeve për Kupë të Botës. Shqipëria është në Grupin C bashkë me Austrinë dhe Armeninë.

Ndërkohë, Grupi B përbëhet nga Rumania, Luksemburgu dhe Norvegjia.