Përballja e rivalëve lokal, do të jetë derbi i xhiros së dhjetë në Superligën e Kosovës në basketboll. Ponte Prizreni do të jetë nikoqir ndaj skuadrës së Bashkimit, në duelin që luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 19:00, ndërsa dy skuadrat kanë pikë të barabarta dhe ndajnë pozitat gjashtë e shtatë në tabelë.
Megjithatë, Ponte Prizreni ka një ndeshje më pak të zhvilluar se Bashkimi, ekip që është në një serie prej katër humbjeve në pesë ndeshjet e fundit. Bashkimi nuk di për fitore prej xhiros së tetë kur e pati mposhtur Vëllaznimin, ndërsa Ponte Prizreni të enjten mbrëma ia shkakoi Pejës humbjen e parë këtë edicion duke e mposhtur në kuadër të Ligës Unike, rezultat ky që do të bartet edhe në kampionat.
Peja këtë vikend do të pushojë për shkak se duelin ndaj kampionit në fuqi, Golden Eagle Yllit në Suharekë, e luan në kuadër të Ligës Unike.
Të dielën, por prej orës 17:00, zhvillohet edhe një ndeshje tjetër interesante. Skuadra e Vëllaznimit, që ka tri fitore në katër ndeshjet e fundit, e pret Sigal Prishtinën në Gjakovë. Vëllaznimi është i pesti në tabelë me 13 pikë, një më pak se Prishtina që renditet e treta.
Ndërkohë, xhiroja do të hapet të shtunën me duelin mes Trepçës dhe Rahovecit, që luhet në palestrën “Minatori” në MItrovicë prej orës 19:00. Trepça që u kthye të fitorja xhiron e shkuar pas tri humbjeve rresht, llogaritet favorite përball Rahovecit që është në krizë të rezultateve. “Vreshtarët” kanë vetëm një fitore karshi tetë humbjeve dhe renditen të fundit në tabelë me dhjetë pikë. Fitoren e vetme, Rahoveci e ka në xhiron e parë të këtij edicioni.