Sport

Bashkimi që kërkon që arbitrat e ndeshjes me Prishtinën mos t’i referojnë më

Bashkimi i Prizrenit ka reaguar të dielën për shkak të zhvillimeve në ndeshjen me Sigal Prishtinën.

Prishtina të shtunën fitoi për një pikë, ndërsa prizrenasit vlerësojnë se janë dëmtuar rëndë nga arbitrat. Në fakt Bashkimi e kishte aksionin e fundit, por Altin Morina nuk realizoi. Ai u pengua nga Muhamedali Janjeva, por arbitrat vlerësuan se çdo gjë ishte në rregull.

“Faktori më i rëndësishëm për ndarje të drejtësisë, në mënyrë tendencioze, sistematike dhe aspak profesionale e dëmtoi klubin tonë dhe kjo na kushtoi me humbje aspak sportive. Klubi ynë zyrtarisht do t’i drejtohet organeve të FBK-së që gjyqtarët Ngadhnjim Shabani, Elldin Uglari e Besim Vitaku, si dhe Albert Verbiqi (delegat i ndeshjes) të mos nominohen në ndeshjet e skuadrës sonë”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Bashkimit.

Prizrenasit vlerësojnë se vendimet e gjyqtarëve ishin tendencioze dhe se ata kanë pasur standarde të dyfishta.

Bashkimi ka publikuar edhe një video me momentet në të cilat pretendon se është dëmtuar.