Trajneri i KB Pejës, Shemsetin Bash ka thënë se gabimet e shumta, topat e humbur ishin disa prej faktorëve që ndikuan në eliminimin e Pejës nga turneu “Final Eight” i Kupës së Kosovës.
Peja u mposht të premten në palestrën “Karagaçi” nga Trepça (83:76), që kaloi në finale të kësaj gare.
Bash po ashtu shtoi se paraqitja e Pejës në pjesën e dytë ishte shumë e dobët në krahasim me të parën ku u tregua superiore dhe kishte avantazh deri në 20 pikë.
“Pjesa e parë ishte shumë e mirë dhe e organizuar, por në të dytën nuk arritëm të tregonim atë se çfarë kemi bërë në pjesën e parë. Kishim epërsinë, por në dy çerekët fundit kemi humbur shumë topa kemi bërë shumë gabime dhe nuk i shfrytëzuam mundësitë tona. Shumë lojtarë nuk kanë qenë të gatshëm për këtë takim shkaku i lëndimeve dhe nuk ishin në formën më të mirë”, është shprehur Bash.