Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona matematikisht ende në garë për titull

La Liga ka nisur të marrë pamjen e zakonshme me Barcelonën dhe Atletico Madridin në top katërshe. Të dy këto skuadra shpresojnë se mund të përfundojnë para Sevillas në vendin e dytë. Në veçanti Barcelona që ka gjetur formën e mirë në elitën e futbollit spanjoll me katër fitore së fundi. Rol në këtë sukses kanë pasur transferimet e muajit janar.

Barcelona ka 48 pikë në vendin e tretë, shtatë më pak se Sevilla, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. Kundër Sevillas, Barcelona do të luajë muajin tjetër në “Camp Nou”.

Optimist i matur për të triumfuar në ligë është trajneri i Barçës, Xavi Hernandez, skuadra e të cilit që 15 pikë më pak se lideri Real Madridi, kur kanë mbetur edhe 11 xhiro deri në fund.

Xavi e mori drejtimin e skuadrës në muajin nëntor, kurse për të edhe vendi i dytë në përfundim të kampionatit do të ishte i kënaqshëm. Kur Xavi u bë trajner Barcelona ishte në vendin e nëntë. Nëse liga do të niste më 1 janar, Barça do të ishte në krye të ligës.

“Blaugrana” pret ta vazhdojë formën e mirë në shtëpi edhe të dielën nga ora 21:00, kur përballet me Osasunan e vendit të 11-të, në kuadër të xhiros së 28-të.

Të enjten Barça e luan ndeshjen kthyese kundër Galatasarayt në Ligën e Evropës, ndërsa më 20 mars luan në udhëtim te Real Madridi.

Real Madridi në ligë ka marrë vetëm tri fitore nga shtatë ndeshje prej dhjetorit e deri në shkurt.

Fitoi 4:1 ndaj Real Sociedadit, ndërsa e përmbysi rezultatin ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve dhe u kualifikua në çerekfinale.

Karim Benzema ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Realin, që luan te Mallorca e Vedat Muriqit të hënën nga ora 21:00. Kjo ndeshje e mbyll xhiron e 28-të në La Liga.

Sevilla e vendit të dytë luan në udhëtim te Rayo Vallecano, të dielën nga ora 14:00.

Artikuj të ngjashëm