Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barça e siguron Solerin

Barcelona ka arritur marrëveshje për ta transferuar mesfushorin Carlos Soler këtë verë.

“AS” ka raportuar të hënën se për shërbimet e Solerit, Barcelona do t’i paguajë Valencias 20 milionë euro.

Soler, i cili ka kontratë me Valencian deri në vitin e ardhshëm, te Barça po shihet si zëvendësim për Frenkie de Jongun.

Holandezi pritet të largohet nga Barcelona në fund të sezonit për 70 milionë euro. Soler vlerësohet ndër mesfushorët më të mirë në La Liga dhe pëlqehet shumë nga trajneri Xavi Hernandez.

Ai është produkt i Valencias, ndërsa pjesë e ekipit të parë është prej fillimit të vitit 2017.

Këtë edicion 25-vjeçari ka shënuar 12 gola dhe ka bërë pesë asistime në të gjitha garat. Soler gjithashtu ka edhe dy gola në gjashtë paraqitje me Spanjën.