Sport

Banorët e Katarit po mbesin jashtë shtëpive shkaku i kërkesave të mëdha për qira gjatë Botërorit

Ku të flemë? Është ndër pyetjet më të shpeshta me të cilën përballen tifozët që udhëtojnë në Katarin e vogël për Kupën e Botës, mes një nxitimi për dhoma në Doha. Disa do të flenë në anijet turistike. Të tjerët do të kampojnë në shkretëtirë. Disa do të fluturojnë nga Dubai dhe gjetkë. Por në prag të ngjarjes më të madhe sportive, në vendin pritës më të vogël në botë, “lufta” për strehim nuk kufizohet vetëm për turistët. Fuqia e pronarëve në Katar ka bërë që qiratë të rriten në qiell dhe t'i nxjerrin banorët jashtë shtëpive të tyre, duke i lënë shumë prej tyre në baltë.

“Pronarët po përfitojnë plotësisht nga situata dhe nuk ka asgjë në vend për të mbështetur njerëzit që tashmë jetojnë këtu”, tha Mariam, një banore britanike 30-vjeçare, pronari i së cilës refuzoi ta rinovonte kontratën vjetore në shtator. Ai më pas katërfishoi qiranë çdo muaj — nga 1370 dollarë në 5490 dollarë. Në pamundësi për të përballuar rritjen, ajo nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të largohej dhe tani po qëndron në shtëpinë e një shoqeje.

“Është vërtet demoralizuese”, tha britanikja, duke dhënë vetëm emrin nga frika e hakmarrjes, si qiraxhinjtë e tjerë të intervistuar në vendin autokratik.

Të tjerët folën në kushte anonimiteti për të njëjtën arsye. Banorët në vend, ku emigrantët janë në numër shumë më të madh se vendësit, thonë se kërkesa në rritje dhe mungesa e dhomave përpara Kupës së Botës i ka fuqizuar pronarët. Ata po rrisin qiratë me mbi 40 për qind, në shumë raste me një njoftim të shkurtër, duke i detyruar qiraxhinjtë t’i paketojnë gjërat dhe të përballen me një të ardhme të pasigurt.

Qeveria e Katarit pranoi “kërkesën e rritur për akomodim” dhe inkurajoi qiraxhinjtë që besojnë se kanë qenë “viktima” të paraqesin një ankesë në komitetin e mosmarrëveshjeve të qirave. Rreth 1.2 milionë tifozë pritet të zbresin muajin e ardhshëm në Katar, i cili kurrë më parë nuk ka organizuar një ngjarje në shkallën e Kupës së Botës. Organizatorët lokalë kanë kërkuar të largojnë frikën e një krize akomodimi, duke theksuar se Katari ka lënë mënjanë 130.000 dhoma, të disponueshme përmes faqes zyrtare të internetit. Dhomat, të cilat janë në hotele, resorte, banesa të ndërtuara posaçërisht dhe tri anije turistike në port, fillojnë nga rreth 80 dollarë nata, thonë ata, megjithëse nuk është e qartë se sa ka opsione me buxhet të ulët. Një tavan çmimi vlen për 80 për qind të dhomave, tha qeveria në një deklaratë të martën.

Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve nëse dhe si është zbatuar tavani, i cili është rreth 780 dollarë për një dhomë turistike me pesë yje dhe mund të shkojë më lart, në varësi të dhomës. Shumë banorë afatgjatë në hotele dhe apartamente thonë se po dëbohen për të lënë vend për lojtarët, stafin dhe tifozët.

“Ju jeni të detyruar ose të qëndroni dhe të paguani ekstra, ose të largoheni dhe të mos dini nëse do të keni ku të jetoni”, tha një mësues britanik. Pronari i shtëpisë ku jetonte ai e rriti qiranë për 44 për qind.

Mësuesi shiti të gjitha mobiliet e tij dhe tani po qëndron në shtëpinë e një shoku, i shqetësuar për të ardhmen e tij. Qiraxhinj të tjerë që rinovuan qiratë e tyre raportuan se në apartamente shfaqen shenja që shënojnë ndërtesat si “të zgjedhura nga qeveria për të pritur mysafirë dhe ngjarje të Kupës së Botës 2022”.

Një instruktore franceze tha se kur firmosi kontratën e qirasë para një viti, pronari premtoi se nuk do ta largonte nga banesa gjatë Botërorit. Mirëpo, ditë më parë, ajo ka marrë një mesazh shqetësues: “Nuk mund të vazhdojmë kontratën për arsye personale”.

“Pasi mora këtë mesazh, e pashë banesën time në reklamë që jepej për 600 dollarë për një natë”, thotë ajo. “Njerëzit janë të inatosur, sepse nuk kanë një vend të sigurt qëndrimi gjatë periudhës së Botërorit”.

Banorët e Katarit po ankohen se nuk po mund të gjejnë shtëpi për të marrë me qira, për shkak se është e pamundur ta përballojnë çmimin. Një apartament me dy shtretër gjumi kushton një mijë dollarë për një natë. Ndërsa apartamentet më luksoze shkojnë deri në 200 mijë dollarë në muaj.

“Ky turne është për të gjithë ata që jetojnë në Katar. Ne duam që të gjithë ta shijojnë këtë turne”, ka thënë Qeveria nëpërmjet një njoftimi pas ankesave të shumta.

Mirëpo disa nuk po e shijojnë fare për shkak të shpenzimeve të larta.

“Po më kushton shumë stres dhe para. Më larguan nga apartamenti pas shtatë vjetësh. Dhe, unë po e paguaj çmimin e këtij botërori”, tha një mësues tjetër britanik në kushte anonimiteti.