Sport

Ballkani shkarkon Shkëmbin pas largimit nga gara për titull

Bledi Shkëmbi nuk do të jetë më trajner i Ballkanit. Shkëmbi është shkarkuar nga posti i trajnerit pas disfatës së pësuar të enjten nga Arbëria 3:2, në kuadër të xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll. Njoftimin për largimin e Shkëmbit e ka bërë të ditur klubi nga Suhareka, pak pas përfundimit të ndeshjes kundër Arbërisë. Me humbjen e pësuar 3:2 nga Arbëria të enjten, Ballkani mbetet prapa në luftën për titullin e kampionit me Prishtinën dhe Dritën, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të edicionit. Ishte edhe humbja e dytë rresht për Ballkanin dhe atë nga dy skuadrat që janë në garë për mbijetesë. Para pak ditësh pësoi edhe nga Drenica. Ballkani mbetet në vendin e tretë me 67 pikë, pesë më pak se liderja Prishtina dhe dy më pak se Drita, ndërsa Arbëria ka dalë nga pozita që dërgon direkt në Ligën e Parë. Është ngritur në vendin e tetë me 36 pikë, vend që siguron ndeshjen e barazhit. Me pikë të njëjta është edhe Trepça ’89, por që ka rënë në pozitën e nëntë.

“Pas rezultateve të dobëta, sidomos në dy ndeshjet e fundit, klubi ka marrë vendim të ndërpres bashkëpunimin me trajneri Bledi Shkëmbi. E falënderojmë për punën e palodhshme dhe suksese në të ardhmen”, shkruan në njoftimin e Ballkanit. Shkëmbi e mori përsipër drejtimin e Ballkanit më 27 dhjetor të viti të kaluar.

Në fakt, Ballkani i ka fituar bindshëm tri duelet e kaluara kundër Arbërisë në Superligën e Kosovës në futboll. Por, jo edhe të katërtin. Skuadra nga Suhareka e humbi ndeshjen e saj vendimtare në garën për titull të kampionit. Se ka mbetur prapa në garën për titull e pranoi pas ndeshjes, tani ish-trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi.

Ballkani ndeshjen e radhës i shkon Dritës, e pret Trepçën ’89 dhe udhëton te Prishtina në duelin e fundit.

“Patjetër që jemi larg luftës për titull. Do të mundohemi t’i fitojmë të tria ndeshjet e tjera. Shpresojmë të dalim në Evropë. Janë dy ndeshje që po vuajmë shumë. Ndoshta është gabimi im që nuk arrij t’i motivoj siç duhet. Edhe lodhja po e bën të veten”, përfundoi ish-trajneri i Lirisë në Kosovë, Bledi Shkëmbi. Shkëmbi e zëvendësoi në postin e trajnerit te Ballkani, Ismet Munishin që po ashtu u shkarkua.

Dy gola në fitoren e Arbërisë i shënoi Kreshnik Bahtiri (7’, 47’) dhe Agon Llugiqi (67’), ndërsa për Ballkanin shënuan Arbër Shala (44’) dhe Arbër Hoxha (87’).

Ndërkohë, trajneri Arbnor Morina ka mbetur i kënaqur nga kjo fitore, por i ka paralajmëruar futbollistët e tij se kanë edhe tri ndeshje për t’i zhvilluar.

“Në Suharekë është kënaqësi të luash. Një ambient i mirë kundër një ekipi që ka bërë revolucion në futbollin tonë. Ne kemi qenë më pak të ngarkuar dhe e kemi shfrytëzuar këtë, por po tregojmë papjekuri në lojë në raste. Kemi lojtarë të lënduar dhe me kartonë. Ajo që e ka karakterizuar Arbërinë nga fillimi është se të gjithë japin 100% nga vetja dhe japin më të mirën për t’i mbrojtur ngjyrat e klubit”, theksoi pas ndeshjes Morina.

Fitore të rëndësishme në luftën për mbijetesë ka shënuar edhe skuadra e Drenicës, që mposhti Llapin 4:2. Me këtë fitore, Drenica është ngjitur në pozitën e pestë në tabelë me 41 pikë të mbledhura, dy më shumë se Llapi që ka zbritur në pozitën e gjashtë.

“Fitorja ndaj Llapit është shumë e rëndësishme në vazhdën e rezultateve pozitive. Ne përsëri mbesim 100 për qind të fokusuar në luftën për mbijetesë, duke i marrë ndeshjet radhazi, pa harruar asnjëherë që i kemi tri finale edhe më të vështira se kjo e sotshmja”, ka thënë të enjten për KOHËN trajneri i Drenicës, Sami Sermaxhaj.

Anthony Monin (4’) autogol, Donald Rapo (48’), Osman Mëziu (80’) e Gentrit Dumani (86’) shënuan për Drenicën, derisa te Llapi golat i realizoi Amir Hossari.

Tahir Batatina ka thënë se skuadra e tij e ka fokusin e plotë te Kupa e Kosovës, ku ka arritur në finale. Ai është shprehur se në ligë ndihet komod dhe nuk e mendon rënien nga elita e futbollit kosovar.

“Kam skuadër të mirë. Nuk besoj se do të largohemi nga liga, sepse kam skuadër të mirë. E rëndësishme është të kualifikohemi në gara të Evropës”, tha trajneri Batatina pas ndeshjes.