Sport

Në Kosovë trajnerët shkarkohen edhe kur skuadrat realizojnë synimet

Bekim Isufit i ka zgjatur vetëm gjashtë muaj qëndrimi në krye të shtabit teknik të klubit të Superligës në futboll, Ballkani.

Isufi më nuk është trajner i skuadrës nga Suhareka, ndonëse rezultatet nuk i kanë munguar Ballkanit në stinorin vjeshtor të edicionin 2021/2022.

Ballkani të martën ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me Isufin, me të cilin e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e tretë në tabelë me 33 pikë të mbledhura, dy më pak se Gjilani që është lider.

Gjilanasi Isufi nuk është trajneri i vetëm që është shkarkuar, ndonëse skuadra ishte brenda objektivave. Edhe në të kaluarën ka pasur trajnerë që janë larguar pavarësisht rezultateve pozitive. Kjo së fundi po ndodh kryesisht te Ballkani.

Një vit më herët nga posti i trajnerit të Ballkanit qe shkarkuar Ismet Munishi. Ballkani sezonin vjeshtor të edicionit të kaluar e pati mbyllur në pozitën e dytë me 38 pikë, tri më pak se Drita që dimëroi në krye. Por ai bilanc nuk mjaftoi për drejtuesit e klubit.

Ballkani e shkarkoi Bledi Shkëmbin në maj të këtij viti, tri xhiro pa përfunduar kampionati. Me një disfatë të pësuar nga Arbëria, Ballkani kishte mbetur prapa në garën për titull të kampionit, por kishte ende gjasa për të siguruar Evropën.

Te Ballkani nuk kanë qenë të qasshëm të martën as kryetari i klubit Arsim Kabashi e as drejtori sportiv Nderim Nexhipi. Nuk është lajmëruar as trajneri Isufi.

“Ju njoftojmë që klubi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Bekim Isufi. Trajnerin e falënderojmë përzemërsisht për punën profesionale dhe kontributin e dhënë në klubin tonë dhe i dëshirojmë shumë suksese në vazhdim. Gjatë ditëve në vazhdim opinioni do të njoftohet me shefin e ri të shtabit teknik”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Jo vetëm Ballkani ka larguar trajnerë që kanë qenë të suksesshëm, të paktën sa u takon rezultateve. Edhe Prishtina një dekadë më herët pati larguar Ramiz Krasniqin nga detyra e trajnerit, ndonëse e pati udhëhequr drejt titullit të vjeshtës. E pati zëvendësuar me gjermanin Wolfgang Jerat.

Trajneri nga Mitrovica, Gani Sejdiu, kritikon mënyrën e funksionimit të klubeve. Ai thotë se krerët e klubeve presin suksesin brenda natës.

“Është një plagë e vjetër. Të them të drejtën, u befasova me lajmin për Isufin edhe pse nuk e dimë se çfarë ndodh brenda dhe duhet të jemi të kujdesshëm për atë që vlerësojmë ne nga jashtë. Por, nëse i referohemi vetëm suksesit momental, kur je në garë për titull dhe kupë, definitivisht nuk është lajm i mirë për ne trajnerët të lexojmë për largimin e kolegut. Po përsëritet çdo vit, çdo edicion e çdo sezon. Por presidentët e klubeve nuk po këshillohen mirë në aspektin sportiv nga njerëzit që i kanë afër. Ka një eufori te klubet tona, pra i kërkojnë sukseset brenda ditës. Thonë se kanë investuar dhe duan menjëherë sukses. Por në futboll nuk është ashtu, sepse edhe klubet e tjera investojnë. Është e pamundur që një trajner brenda gjashtë muajsh ta shtrijë filozofinë e tij te lojtarët”, ka thënë Sejdiu për KOHËN.

Njëri prej lojtarëve që ka punuar me shumë trajnerë është Liridon Kukaj. Kukaj, që pak javë më parë i dha fund karrierës si futbollist, thotë se klubet duhet të marrin shembuj nga klubet profesionale.

“Për një lojtar profesionist nuk mund të jetë ndoshta një problem i madh ndërrimi i trajnerit, sidomos gjatë pushimit, pasi në fazë përgatitore mund të njoftohen me atë çka kërkon trajneri. Por problemi më i madh është kur kalojnë 3-4 xhiro dhe ndërrohet menjëherë trajneri. Është dashur të jenë më të durueshëm ndaj trajnerëve. Duhet të marrim shembull Anglinë. Pra, një trajner në Angli nuk shkarkohet edhe pse nuk ka pasur me vite suksese. Nuk mund të arrihet suksesi menjëherë”, ka thënë Kukaj.

Trajneri Gani Sejdiu një pjesë të fajit ua hedh edhe trajnerëve. Sejdiu njihet si trajner që nuk i thyen principet. Për shkak se u përmbahet parimeve thotë se ka mbetur pa punë qe një vit e gjysmë.

“Pa i mbrojtur parimet e personave afër presidentëve, nuk të afrojnë. Është servilizmi që është në trend te ne, prandaj them se nuk i fajësoj presidentët e klubeve. Presidentëve duhet t’u shpjegohet se si të ndërtohet klubi për të arritur rezultate. Nga ndërrimi i trajnerëve pësojnë më së shumti lojtarët, sepse do kohë për t’u përshtatur me filozofinë e trajnerit të ri”, ka theksuar Sejdiu.

Edhe kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Muharrem Sahiti, thotë se faj kanë edhe vetë trajnerët.

“Kur është çështje e marrëveshjes mes klubit dhe trajnerit ne nuk mund të ndërhyjmë. Është diçka personale. Ne nuk kemi informata mbi marrëveshjet që i arrijnë. Por, në aspektin sportiv nuk është e mirë për futbollin, sidomos për klubin. Ka raste të ndryshme edhe nëpër botë kur edhe trajnerët e suksesshëm shkarkohen. Rastin e kemi të Fabio Capellos që e bën kampion Realin dhe shkarkohet me arsyetimin se nuk kanë luajtur lojë të bukur. Është fatkeqësi për trajnerët që ndodhin largimet. I duhet kohë çdo trajneri, por këtu në Kosovë punohet me plan afatshkurtër ose mungesa e përvojës të njerëzve të klubeve po ndikon në ndarje të shpejtë. Apeloj te trajnerët të kenë kujdes kur të merren vesh me klubet. Duhet të jenë transparentë, pra të premtojnë punë e jo t’ua premtojnë titullin apo shpëtimin”, ka thënë Sahiti.

Ai ngul këmbë se në Kosovë ka edhe trajnerë që u afrohen vetë klubeve.

“Fatkeqësisht kemi trajnerë që gjejnë edhe lidhje apo intervenime për t’u punësuar në një klub dhe atëherë u humb fuqia para drejtuesve dhe kryetarit. Kemi edhe trajnerë me karakter që presin momentin. Prandaj pres që në të ardhmen trajnerët të presin rastin e tyre, pasi vetëm në atë formë do të jenë të plotfuqishëm”, ka theksuar Sahiti.