Sport

Ballkani publikon formacionin, Berisha startues

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka publikuar formacionin për ndeshjen kundër Clujit, të cilën e luan në kuadër të Ligës së Konferencës. Në formacionin e publikuar nga Daja, risi është sulmuesi Albin Berisha.

Berisha luan në sulm së bashku me Albion Rrahmanin e Meriton Korenicën. Berisha, që është rezervist, është inkuadruar prej fillimit ndaj Clujit për shkak të mungesës së Ermal Krasniqit që është i lënduar.

Edhe në mesfushë, Daja do të luajë me tre lojtarë: kapitenin Edvin Kuç, Lindon Emërllahun e Qëndrim Zybën.

Në portë është vendosur Stivi Frashëri, ndërsa para tij do të luajnë Armend Thaqi, Lumbardh Dellova, Bajram Jashanica e Arbër Potoku.

Dueli mes Clujit dhe Ballkanit është i fundit i fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, ndërsa nis në orën 18:45.

Ballkani nuk ka gjasa për avancim tutje, pasi renditet i fundit në Grupin G. Në anën tjetër, Cluji me fitore kalon fazën e grupeve nga pozita e dytë.