Sport

Ballkani po bëhet gati për një tjetër prezantim të suksesshëm në Evropë

Ballkani, si asnjë klub tjetër kosovar, arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës në edicionin 2022/2023. Paraqitja e ekipit suharekas në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave evropiane për skuadra të futbollit, ishte sukses historik. Ballkani vazhdoi të shkruaj histori duke triumfuar për herë të dytë rresht në kampionatin e Kosovës.

Kampioni i Kosovës ditë më parë mësoi kundërshtarin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Do të përballet me skuadrën nga Bullgaria, Ludogorets.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, për KOHËN ka thënë se nuk kanë pasur fat në short.

“Mendoj që shorti përballë na ka vënë kundërshtarin më të fortë. Ludogoretsi ka një ecuri fantastike në dekadën e fundit në kampionatin bullgar. Gjithashtu ka një eksperiencë goxha të mirë duke qenë prezent në grupet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës”, ka thënë Daja.

Ballkani ka ditë që po përgatitet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. I ka luajtur dy miqësore deri më tani. Ka barazuar 2:2 me Strugën dhe fitoi 3:1 ndaj Tiranës.

Skuadra e Ludogoretsit ka dominuar plotësisht në futbollin bullgar për më shumë se një dekadë. Kjo skuadër ka 12 tituj të fituar në 12 edicionet e fundit. Po ashtu ka të fituara tri kupa të Bullgarisë dhe gjashtë Superkupa. Prej edicionit 2012/13 paraqitet në garat e UEFA-s ndërsa në dy raste ka luajtur në fazën e grupeve të Championsit, 2014/15 dhe 2015/16. Në shtatë raste skuadra bullgare ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa në edicionin 2019/20 ka arritur deri në 1/16 e finales.

Ilir Daja pranon se favorit është kampioni bullgar.

“Favorit është kundërshtari, por ne nuk do të hyjmë të dorëzuar. Do të provojmë shanset tona. Nuk e dimë nëse do ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar, por do të bëjmë maksimumin që të prezantohemi sa më mirë që të jetë e mundur”, është shprehur trajneri i Ballkanit.

Ndeshja e parë do të luhet më 11 korrik në “Fadil Vokrri”, ndërsa e kthimit më 19 korrik në Razgrad të Bullgarisë. Fituesi do të avancojë në rundin e dytë kualifikues të Championsit, ndërsa humbësi do ta vazhdojë në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Edicionin e shkuar ekipi nga Suhareka u eliminua në rundin e parë kualifikues të Championsit nga Zhalgirisi i Lituanisë. Por më pas arriti deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Daja është i kënaqur me përgatitjet që po i zhvillojnë në Ohër.

“Pas një pushimi prej dhjetë ditësh kemi nisur përgatitjet në Ohër, në kushte mjaft të mira, për raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve. Përgatitjet kanë shkuar mirë dhe kemi rritur në mënyrë graduale ngarkesat pas një edicioni tjetër shumë të suksesshëm dhe shumë të lodhshëm për Ballkanin, me mbrojtjen e titullit të kampionit, triumfin në Superkupë dhe atij prezantimi historik ku Ballkani e prezantoi futbollin e Kosovës me shumë dinjitet në grupet e Ligës së Konferencës”, ka thënë Daja.

Pas përfundimit të edicionit 2022/2023, klubi kampion bëri disa ndryshime. Largoi disa futbollistë ndërsa do të transferoj disa të tjerë. Tekniku tiranas është i lumtur që ka pak ndryshime në ekipin bazë.

“Kemi tentuar të dyfishojmë numrin e lojtarëve në pozita duke angazhuar lojtarë relativisht të rinj që kanë ambicie për të rritur paraqitjen e tyre. Kemi dashur të shtojmë rivalitetin brenda ekipit. Mendoj që do të vazhdojmë të jemi aktiv për të afruar edhe ndonjë lojtar tjetër aty ku kemi nevojë”, thotë Daja.

Ai insiston se Ballkani ka mjaftueshëm lojtarë për të synuar titullin dhe Kupën e Kosovës.

“Ballkani në çdo sezon starton me objektiva maksimale, por ne jemi të ndërgjegjshëm që fitimi i titullit nuk fitohet me premtime, por do shumë punë dhe përkushtim. Kontingjenti i lojtarëve na mundëson që të luftojmë për objektiva maksimale”.

Ballkani i Suharekës është rritur vazhdimisht në vitet e fundit si klub i futbollit. Pikë kthese për të u dëshmua të jetë ardhja e trajnerit nga Tirana, Ilir Daja. Ai vazhdon ta udhëheqë skuadrën me shumë sukses.