Skuadra e Ballkanit nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në ndeshjen e mbetur të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në futboll ndaj Trepçës ’89. Në duelin e luajtur të mërkurën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, skuadrat luajtën baras 1:1.
Me këtë pikë të fituar, Ballkani forcohet në pozitën e dytë me 34 pikë të mbledhura dhe dy ndeshje më pak se Drita që është e para. Ndërkohë, 89-shi e mbyll stinorin vjeshtor me 19 pikë të tubuara dhe në vendin e parafundit në tabelë.
Në fakt, Trepça ’89 ishte në epërsi deri në kohën shtesë të ndeshjes, por nuk arriti ta mbajë rezultatin për të marrë pikët e plota.
Abdulah Oyekanmi kaloi mitrovicasit në epërsi në minutën e 74-të pas asistimit të Christian Mba. Megjithatë, Ballkani u kundërpërgjigj në minutën e parë të kohës shtesë me golin e Ermal Krasniqit.