Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bale u vërshëllye në ndeshjen e parë në “Bernabeu” pas më shumë se dy vjetësh

gareth bale, sport, futboll

Gareth Bale u “përshëndet” nga vërshëllimat e forta të shtunën mbrëma, teksa bëri paraqitjen e parë zyrtare në stadiumin “Santiago Bernabeu” për më shumë se dy vjet, në fitoren 2:0 të Real Madridit ndaj Getafes.

32-vjeçari kishte bërë vetëm katër paraqitje në ligë për Realin këtë edicion - të gjitha në udhëtim - dhe dalja e tij e fundit në stadiumin e klubit ishte në shkurt të vitit 2020, kur Reali u mund 2:1 nga Manchester City në Champions.

Në të kaluarën, Bale, i cili iu bashkua Real Madridit nga Tottenhami në vitin 2013 për një tarifë transferimi prej 100 milionë eurosh, ka pasur përplasje me drejtuesit e klubit dhe pothuajse u largua në vitin 2020 pasi nuk favorizohej nga trajneri i atëhershëm Zinedine Zidane. Megjithatë, në edicionin 2020/21, Bale u huazua te Tottenhami për t’u kthyer sërish te Reali para fillimit të këtij kampionati. Kohët e fundit ai ka pasur pengesa të shumta të përgatitjes fizike dhe fansat madrilenë e mediat lokale janë kthyer kundër tij.

“Vërshëllimat janë të kuptueshme, por tifozët tanë duhet të kuptojnë se mbështetja e tyre është gjithashtu shumë e rëndësishme”, tha trajneri i Realit, Carlo Ancelotti. “Po, Bale u sulmua, por ai është një profesionist serioz. Ai po bën mirë në stërvitje dhe nëse është e nevojshme ai do të luajë këtë pjesë të fundit të edicionit. Tifozët duhet ta kuptojnë këtë”.

Sipas trajnerit italian, Bale është në historinë e Realit dhe këtë nuk mund ta mohojë askush.

“Ai kishte probleme dhe kohët e fundit nuk ka luajtur, por ai është një lojtar që ka hyrë në historinë e klubit me titujt dhe golat e tij. Ai është mirë, është në gjendje të mirë fizike dhe këtë e ka treguar me Uellsin. Tani ai dëshiron që këtë ta tregojë edhe te Reali dhe është i sigurt që synon ta mbyllë edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi Ancelotti.

Bale së fundmi sulmoi gazetën spanjolle “Marca” për krahasimin e tij me një "parazit", mbi pretendimet se ai po thithte para nga klubi spanjoll pa luajtur fare. Ai u akuzua gjithashtu nga mediat madrilene për shpikje të një dëmtimi në shpinë pasi mungoi në humbjen 4:0 të Real Madridit nga Barcelona, por më pas u shfaq për vendin e tij vetëm katër ditë më vonë për të shënuar dy gola teksa Uellsi mposhti Austrinë në gjysmëfinalen e plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Edhe Bale pranon se kualifikimi në Botëror do të ndikojë në lëvizjen e tij të ardhshme Sport Bale pranon se kualifikimi në Botëror do të ndikojë në lëvizjen e tij të ardhshme

Bale, i cili hyri si zëvendësues në mes të pjesës së dytë të shtunën, ka ende mbështetjen e shokëve të tij të skuadrës në Madrid.

“Ne të gjithë jemi me Balen”, tha kapiteni i Real Madridit, braziliani Marcelo. “Është e vështirë, u ka ndodhur shumë njerëzve të vërshëllehen në ‘Santiago Bernabeu’ që ka një bazë tifozësh shumë kërkuese, por ne të gjithë jemi të rëndësishëm. Ne jemi në fund të sezonit, kemi shumë lojë, duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Është e trishtueshme që Bale u vërshëllye, por ne të gjithë duhet të dalim atje dhe të japim më të mirën”.

16 minutat e Balet kundër Getafes ishin paraqitja e tij e shtatë këtë edicion në të gjitha garat për Realin. Në fakt, ky edhe do të jetë sezoni i tij i fundit në Madrid. Ai do të largohet në verë kur edhe i skadon kontrata.