Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bakaj paralajmëron Rumaninë për duelin ndaj Kosovës

Ish-reprezentuesi i Shqipërisë, Elis Bakaj, ka folur për ndeshjen mes Kosovës dhe Rumanisë që do të zhvillohet të premten mbrëma në Prishtinë dhe u takon kualifikimeve për “Euro 2024”. 35-vjeçari, që ka luajtur për Dinamo Bukureshtin, i njeh mirë si Kosovën ashtu edhe Rumaninë. Dy përfaqësueset garojnë në Grupin I të kualifikimeve, për një vend që dërgon në Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani.

Bakaj jeton në Rumani, është i martuar me rumune, ka restorant në Bukuresht, si dhe ka marrëdhënie shumë të mira me kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani. Bakaj me mbrojtësin e Napolit kanë qenë bashkëlojtarë te skuadra e Splitit në Kroaci dhe ende mbajnë kontakte.

“Nuk mund të them se jam me Rumaninë apo Kosovën, pasi jam në mes. Në Rumani jetoj dhe është shtëpia ime e dytë, ndërsa te Kosova kam shumë miq. Gjëja më e rëndësishme është se do të jetë një ndeshje e mirë për tifozët dhe kushdo që fiton do të gëzohem për të”, ka thënë Bakaj në një intervistë për sajtin rumun “Sport”.

Sipas tij, gjasat janë të barabarta. Por Bakaj ka paralajmëruar Rumaninë se Kosova ka një ekip shumë të mirë, duke pasur parasysh se disa prej lojtarëve kryesorë luajnë nëpër ligat më të forta të Evropës. Ai insiston se ekipi që bën më pak gabime do ta fitojë ndeshjen që mund të jetë e rëndësishme në fund të ciklit eliminator.

“Gjasat janë 50 me 50, por Kosova ka një ekip të mirë dhe të gjithë e dinë se lojtarët e saj luajnë nëpër klubet më të mira të Evropës. Rumania është në një moment të mirë pasi i ka fituar dy ndeshjet e para, por nuk do ta ketë aspak lehtë ndaj Kosovës”, ka shtuar Bakaj. “Ekipi që bën më pak gabime do të fitojë. Si Kosova ashtu edhe Rumania kanë cilësi në fazën e sulmit dhe kjo mund ta bëjë dallimin. Për Kosovën kjo ndeshje është e rëndësishme dhe patjetër duhet të fitojë, në të kundërtën nuk do të kenë gjasa për kualifikim në Evropian”.

Edhe Kapiteni i Rumanisë i quan sfiduese ndeshjet me Kosovën Sport Kapiteni i Rumanisë i quan sfiduese ndeshjet me Kosovën

Sipas Bakajt, Kosova ka edhe bankë më të mirë se Rumania, ndërsa ka veçuar lojtarët si Vedat Muriqi, Milot Rashica e Edon Zhegrova, që sipas tij mund ta vendosin ndeshjen. Ndërkohë ka shtuar se në mbrojtje Kosova mbështetet te Rrahmani që është lider i vërtetë. Sipas tij, Rrahmani është ndër mbrojtësit më të mirë shqiptarë në vitet e fundit.

“Kosova ka lojtarë të mirë në sulm, siç janë Muriqi, Rashica e Zhegrova, por edhe në bankën e rezervistëve. Është një ekip shumë i fortë që ndoshta i mungon përvoja, por teknikisht është i mirë”, është shprehur Bakaj. “Personalisht i njoh disa lojtarë të Kosovës. Jam mik i mirë me Rrahmanin, të cilit ia kam uruar titullin e kampionit me Napolin. Ne ishim bashkëlojtarë dhe kemi kaluar shumë kohë së bashku në Kroaci. Ai është kapiten i Kosovës dhe lider. Në fakt, është njëri prej mbrojtësve më të mirë që ka dalë jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria në 10-20 vjetët e fundit”.