Sulmuesi Azdren Llullaku, i cili e njeh mirë kampionatin rumun, ka paralajmëruar Rumaninë në prag të ndeshjes me Kosovën.
Në një intervistë për mediumet rumune, Llullaku ka thënë se Kosova ka udhëtuar në Bukuresht për fitore, pasi është shumë e motivuar pas barazimit 2:2 me Zvicrën.
“Përfundimisht, Kosova do ta kërkoj fitoren pasi vetëm ky opsion i mbanë në garë për kualifikim në Evropian. Kështu që, bazuar në këtë, pres një Kosovë tejet ofensive ndaj Rumanisë. Kosova ka shumë lojtarë të mirë, të cilët e kanë dëshmuar veten nëpër ligat e rëndësishme ku bëjnë karrierë”, është shprehur Llullaku.
Sipas Llullakut, Kosova ka sulm shumë të mirë dhe pikërisht këtij reparti duhet t’i frikësohet Rumania.
“Mendoj se sulmi i Kosovës do të jetë shumë i rrezikshëm dhe pika kryesore e saj në këtë takim. Por, edhe mbrojtjen e ka stabile, të cilës i prinë kapiteni Rrahmani që luan te Napoli. Muriqi, përfundimisht është sulmuesi kryesor i Kosovës dhe këtë do ta dëshmoj edhe në këtë ndeshje”, është shprehur Llullaku.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë, ka shtuar se pika e vetme e dobët e Kosovës kundër Rumanisë, është se “Dardanëve” iu nevojitet patjetër fitorja dhe kjo do të thotë se do të ketë hapësira për kundërsulme të rumunëve.