Barazimi të shtunën e shkuar me Zvicrën në Prishtinë ka rritur entuziazmin te Përfaqësuesja e Kosovës në prag të përballjes me Rumaninë. Rumania përballet me Kosovën të martën prej orës 20:45 në Bukuresht, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Kjo ndeshje i takon Grupit I dhe Kosova synon të kthehet me rezultat pozitiv nga ky udhëtim. Kështu ka insistuar selektori i Kosovës, Primozh Gliha, në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën mbrëma. Gliha ka thënë se personalisht pret një ndeshje të fortë duke pasur parasysh se si Rumanisë ashtu edhe Kosovës i duhen pikët. Të dyja përfaqësueset barazuan javën e shkuar në ndeshjet e para kualifikuese të këtij muaji. Rumania luajti 1:1 me Izraelin, ndërsa Kosova barazoi 2:2 me Zvicrën në Prishtinë. Gliha ka thënë se Kosova është e përgatitur për ndeshjen në Bukuresht.
“Ndihemi mirë dhe mendoj se jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Është një ndeshje e rëndësishme, por gjithçka do të varet nga paraqitja jonë. Jam i sigurt se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi ne kemi nevojë për pikë e po ashtu edhe Rumania ka nevojë për pikë. Besoj se shikuesit do ta shijojnë ndeshjen”, është shprehur Gliha.
Edhe pse ka vlerësuar Rumaninë, Gliha ka thënë se Kosova ka udhëtuar në Bukuresht për një rezultat të favorshëm. Ka pranuar se Rumania është favorite për vendin e dytë në grup, por ka thënë se edhe Kosova ka gjasat e saj. Aktualisht Rumania ka 9 pikë të mbledhura dhe renditet e dyta në tabelë, ndërsa Kosova është e parafundit në grup me katër pikë të tubuara pas pesë ndeshjeve të luajtura në këtë cikël eliminator.
“Personalisht pres rezultat pozitiv dhe do të japim gjithçka nga vetja për të arritur këtë. Kemi përballë një kundërshtar të fortë, i cili në radhët e veta ka shumë lojtarë të mirë. Por, edhe ne kemi gjithashtu lojtarë të mirë, të cilët luajnë për klube të mëdha. Për ne është e rëndësishme të luftojmë dhe të jemi të disiplinuar, pasi vetëm kështu mund të marrim rezultat të favorshëm”, është shprehur Gliha.
“Jam i bindur se Rumania do të luajë mirë, por ne kemi ardhur këtu për diçka të mirë. Përfundimisht, Rumania është favorite për vendin e dytë në grup, por do ta shohim pas ndeshjes kundër nesh”.
Slloveni Gliha ka theksuar se e ka analizuar mirë ekipin e Rumanisë. Tekniku slloven ka marrë informata shtesë për Rumaninë nga futbollistët e tij që i ka grumbulluar për ndeshjet e këtij muaji, sulmuesit Albion Rrahmani e Ermal Krasniqi. Rrahmani e Krasniqi bëjnë karrierë në Rumani, te Rapidi i Bukureshtit përkatësisht Cluji, ekipe të cilave i janë bashkuar nga Ballkani.
Përkrah Glihas në konferencën për shtyp është paraqitur futbollisti Mërgim Vojvoda. Edhe mbrojtësi i krahut të djathtë ka shprehur optimizmin e tij para ndeshjes me Rumaninë duke insistuar se beson në një rezultat të favorshëm të “Dardanëve”. Vojvoda ka pranuar se Rumania është ekip i fortë, por ka theksuar se Kosova nuk do të dorëzohet për asnjë moment pasi synon rezultat të favorshëm për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.
“Rumania ka një ekip shumë të mirë dhe këtë e kemi parasysh. Mirëpo, ne do të japim gjithçka nga vetja për rezultat pozitiv dhe të tentojmë të sigurojmë kualifikimin në Evropian”, është shprehur Vojvoda, i cili ka thënë se i njeh disa prej lojtarëve të Rumanisë, të cilët bëjnë karrierë në kampionatin e Italisë. “E di që keni shumë cilësi dhe lojtarë të mirë, por ne jemi gati”.
Vojvoda po ashtu ka folur për vërshëllimat dhe fyerjet që mund t’i kenë futbollistët e Kosovës nga tifozët e Rumanisë.
“Ne do të fokusohemi në lojën tonë. Nuk frikësohemi nga publiku, pasi vijmë nga ekipet e mëdha dhe jemi mësuar me gjëra të tilla”, ka shtuar futbollisti i skuadrës së Torinos.
Ndeshja e parë ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë, e zhvilluar në muajin qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pati përfunduar pa gola.