Ensar Badallaj ka dëshmuar se ka potencial për karrierë të suksesshme në boks. Boksieri kosovar, Badallaj, ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian për shkollarë që të premten përfundoi në Maribor të Sllovenisë.
Të premten Badallaj u paraqit në finalen e kategorisë deri 57 kilogramë. Humbi 5:0 nga rumuni Ulmea Florin-Nelu. Boksieri rumun nisi më mirë meçin, ndërsa sipas gjyqtarëve shfaqi më shumë edhe në dy raundet tjera. Boksieri i ri kosovar paraqitjen më të mirë e kishte në raundin e tretë, por rumuni fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve.
Deri në finale, Badallaj shënoi tri fitore. Në një të tetën e finales e kaloi sllovakun Miklas Maximiluan. Në çerekfinale ishte më i mirë se boksieri i ri i Izraelit, Orel Kikis. Ndërkohë në gjysmëfinale e mposhti ukrainasin Viktor Bilohub. Është ky një prej sukseseve më të mëdha të boksit kosovar në kategoritë e reja.
Në grupmoshën e shkollarëve paraqiten boksierët e moshës 13 dhe 14-vjeçare. Në Evropianin në Maribor u paraqitën boksierë nga 32 shtete. Pjesëmarrës ishin 257 boksierë dhe 123 boksiere. Boksieret e reja kanë garuar në 13 kategori të ndryshme, ndërsa boksierët e rinj në 16 kategori. Më të suksesshmit ishin boksierët e Ukrainës.
Në finale është paraqitur edhe boksieri i Shqipërisë, Kristian Jubani. Ai pësoi nga ukrainasi Mykhailo Sydorenko dhe fitoi medaljen e argjendtë.
Kosova në Evropianin e Mariborit është paraqitur me tre boksierë. Pos Badallajt kanë garuar edhe Flori Tarani dhe Riad Mziu.