Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Avdullahu, ylli i ri i mesfushës së Baselit

Janë saktësisht duelet për të cilat Taulant Xhaka (32) jeton. Por ndonëse përfundoi me kohë suspendimin për t’u kthyer në fitoren e madhe ndaj Young Boysit, veterani i Baselit është dashur të qëndrojë në stol të shtunën mbrëma, shkruan “Blick” të martën. Arsyeja është Leon Avdullahu (19).

Djaloshi i zhvilluar te Baseli ka lënë shenjën e tij në përgatitjet e dimrit të skuadrës zvicerane. Ishte në përbërjen startuese në tri ndeshjet miqësore dhe shënoi dy gola në barazimin 2:2 me Greuther Fuerthin. Shpërblimi nuk është vetëm kontrata e re deri në verën e vitit 2028, por edhe vendi i rregullt në mesfushën e Baselit përkrah Renato Veigas.

Edhe në fitoren 1:0 ndaj liderit, Young Boysit, Avdullahu është lejuar të luajë nga fillimi dhe të ofrojë tjetër paraqitje bindëse. Lojtari nga Solothurni ka shtyrë para Baselin, duke dërguar në vend 33 prej 37 pasimeve. Kishte përqindjen dukshëm më të lartë të pasimeve të sakta në ekipin e tij.

Fakti që Avdullahu po luan nga fillimi nuk e befason Roland Vetterin (58). Kur Avdullahu lëvizi nga Gerlafingeni te Solothurni, në moshën 10-vjeçare, ai menjëherë ra në sy të trajnerit të ekipit të rinjve, Vetter.

“Leoni asnjëherë nuk ishte fizikisht superior ndaj të tjerëve, por ishte vazhdimisht një hap para në çdo gjë tjetër”, ka thënë Vetter për Blick.

Për të Avdullahu nuk është pasardhës i Xhakës.

“Ai po ashtu ka shumë kualitete në ofenzivë”.

Jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në aspektin personal, Avdullahu ka çdo gjë që i duhet për karrierë të madhe.

“Ai është djalosh i qetë që qëndron me këmbë në tokë”, ka shtuar ish-trajneri i Avdullahut në kategoritë e reja.

Avdullahu është në grupmoshat e reja të Zvicrës. Ka luajtur për U16, U18 e U19, ndërsa aktualisht është pjesë e U20.

Benjamin Kololli e shënoi golin e fitores së Baselit ndaj Young Boysit. Xhaka u aktivizua në vend të Kolollit, pak minuta para fundit të ndeshjes.

Artikuj të ngjashëm