Leon Avdullahu e ka bërë një hap të madh në karrierë. Ai, të enjten, ka kaluar nga kampioni dhe fituesi i Kupës së Zvicrës, Baseli, te skuadra elitare e Gjermanisë, Hoffenheim. Me skuadrën e Bundesligës mesfushori 21-vjeçar ka nënshkruar kontratë afatgjate. Baseli ka përfituar financiarisht nga shitja e Avdullahut. Por, ka humbur një nga lojtarët më të mirë. Mediumet në Zvicër kanë raportuar se i ka fituar rreth 9 milionë euro nga shitja e Avdullahut.
Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në suksesin e Baselit. Edhe te Hoffenheimi presin shumë nga talenti Avdullahu. Pjesë e ekipit të parë nga edicioni i ri do të jetë edhe shqiptari, Zidan Tairi. Me Hoffenheimin kontratë të vlefshme ka edhe sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani.
"Në moshën vetëm 21-vjeçare, Leoni e ka vendosur veten e tij si titullar dhe lojtar kyç në mesfushën e Baselit. Ai është një lojtar me mendësi strategjike, që e kombinon agresivitetin dhe aftësinë për të ndërhyrë me inteligjencë. Ka edhe aftësi të forta teknike”, ka thënë drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicke. “E dimë që Leoni kishte mundësi të ndryshme këtë verë. Jemi edhe më të kënaqur që ai ka vendosur me vetëdije ta bëjë hapin tjetër në karrierën e tij me ne dhe dëshiron ta ndjekë rrugën tonë”.
Avdullahu është zhvilluar si futbollist te Baseli, që nga viti 2018 pasi iu bashkua nga Solothurni. Në edicionin 2023/2024 u bë lojtar i ekipit të parë të Baselit. Në edicionin 2024/2025, të cilin Baseli e mbylli me dy trofe të fituar, Avdullahu luajti 35 ndeshje. Shënoi një gol në Superligë dhe katër për Kupë të Zvicrës.
Futbollisti, 185 centimetra i gjatë, në total ka luajtur 71 ndeshje për Baselin. Ka shënuar tre gola. Ai, po ashtu, ka udhëhequr ekipin U21 të Zvicrës si kapiten. Është potencial për t’u ftuar në të ardhmen edhe te Zvicra.
“Jam jashtëzakonisht krenar që tani jam pjesë e këtij ekipi”, tha Avdullahu pas prezantimit. “Bisedimet me menaxhmentin tim ishin të shkëlqyera dhe më bindën shpejt. Kushtet këtu janë ideale për zhvillimin tim dhe për të arritur suksese me klubin. Mezi pres të takohem me shokët e mi të rinj të ekipit dhe ta nis punën në fushë”.
Me Leon Avdullahun, Hoffenheimi ka fituar shumë. Pavarësisht moshës së tij të re, tashmë e ka përvojën dhe do të përshtatet mirë në ekip. Ai është një mesfushor modern. Klubi është i bindur se Avdullahu do të luajë një rol të rëndësishëm në vitet e ardhshme.