Futboll

Çfarë e bën të veçantë “Xhakën e ri”, Leon Avdullahun?

Leon Avdullahu

Leon Avdullahu ditë më parë e siguroi transferimin te Hoffenheimi, nga kampioni dhe fituesi i Kupës së Zvicrës, Baseli.

Transferimi i tij bëri bujë në Gjermani, ndërsa “Bild”, ka bërë një shkrim të gjatë për Avdullahun.

“Hoffenheimi ka bërë transferimin e ëndrrave!”, ka nisur shkrimin e gjatë mediumi gjemran.

Avdullahu, që luan si mesfushor defensiv, pritet të jetë titullar i padiskutueshëm te Hoffenheimi në Bundesligën gjermane. Hoffenheimi në këtë pozitë ka pasur nevojë për futbollist cilësor, ka shkruar “Bild” të shtunën. Avdullahu iu bashkua Hoffenheimit për 9.5 milionë euro.

“Luftën” për transferimin e 21-vjeçarit, Hoffenheimi e fitoi ndaj Ëolfsburgut, Monchengladbachut dhe Fiorentinas.

“Ne e dimë se Leoni ka pasur oferta të shumta në këtë verë. Jemi më shumë se të kënaqur që ai ka vendosur që hapin e radhës në karrierë ta bëj te Hoffenheimi”, ka deklaruar drejtori menaxhues i Hoffenheimit, Andreas Schicker.

Por, çfarë e bën të veçantë futbollistin që deri tani ka përfaqësuar të rinjtë e Zvicrës?

Avdullahu iu bashkua të rinjve të Baselit në vitin 2018. Ai debutoi me ekipin e seniorëve në edicionin 2023-2024 dhe ka qenë titullar vazhdimisht te kampioni i kampionatit helvetik. Ai është edhe kapiten i Zvicrës U21, duke shkëlqyer me kualitete, e po ashtu edhe si lider i skuadrës.

Hoffenheimi shpreson që Avdullahu të zhvillohet shumë dhe të jetë versioni i ri i yllit të Leverkusenit, Granit Xhakës.

“Të dy janë lider të zëshëm, të pajisur me stil të veçantë të lojës dhe vizionit të mirë për lojë. Edhe për shkak se ka rrënjë nga Kosova, Avdullahu shpeshherë në Zvicër krahasohet me Xhakën”, ka shkruar Bild.

Një tjetër faktor i rëndësishëm për Hoffenheimin është se, pavarësisht moshës së re, Avdullahu ka eksperiencë të madhe.

Ai i ka zhvilluar 63 ndeshje në ligën elitare të Zvicrës dhe mund të luajë në disa pozita.

Ai pritet që ta mbulojë zbrazëtirën e lënë në qendër të mesfushës nga i riu, 19-vjeçari Tom Bischof, i cili u transferua te Bayern Munichu.

“Jam jashtëzakonisht krenar që jam pjesë e këtij ekipi. Diskutimet me përfaqësuesit e mi ishin të shkëlqyera dhe më kanë bindur menjëherë. Kushtet këtu janë ideale për vazhdimin e zhvillimit tim dhe për arritje të sukseseve me klubin. Mezi pres që t’i takoj shokët e skuadrës dhe të nis me paraqitje”, ka deklaruar Avdullahu.

Avdullahu në sezonin e kaluar e shënoi një gol në 39 paraqitje në të gjitha garat.