Takimi i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, me futbollistin e talentuar Leon Avdullahu ka bërë që në Zvicër t’i frikësohen ikjes së mesfushorit cilësor.
Avdullahu 21-vjeçar është njëri nga lojtarët e rinj më të vlerësuar në Zvicër, ndërsa së fundi kaloi nga Baseli te Hoffenheimi i Bundesligës.
“Zilja duhet të bjerë për selektorin Murat Yakin. Kosova është vënë pas njërit prej mesfushorëve më të talentuar dhe po bën përparim të konsiderueshëm”, ka shkruar Blick të hënën, një ditë pasi Ademi zhvilloi takimin me Avdullahun në Zvicër.
Gazeta e madhe zvicerane ka përshkruar fotografinë e Ademit me Avdullahun dhe ka thënë se ajo të kujton nënshkrimin e një kontrate. Sipas “Blick”, Ademi në fotografi “buzëqesh djallëzisht”.
“Sikur të kishte bërë një përmbysje të madhe. Sikur ish-lojtari i Baselit dhe tani profesionisti i Hoffenheimit të kishte vendosur të luante për Kosovën”, shkruan tutje “Blick”.
Gazeta ka kujtuar një deklaratë të Avdullahut nga janari, kur ai thoshte se nuk ka pasur kontakt me Kosovën.
“A do t’ia dalë 63-vjeçari? Një gjë është e qartë: Avdullahu, gjyshi i të cilit jetoi në Zvicër, është një vendas i vërtetë i Solothurnit. Dhe duket se askund nuk ndihet më rehat sesa në Gerlafingen, një komunitet me 6,000 banorë. Ai ka luajtur për Zvicrën nga grupmosha U15. Është çështje kohe para se të ftohet te të rriturit. Kushdo që flet me zyrtarët e Federatës zvicerane të futbollit mund ta ndiejë respektin që Avdullahu e ka nga Federata”, shkruan gazeta e madhe zvicerane.
Granit Xhaka dhe Ardon Jashari janë mesfushorët kryesorë të Zvicrës tashmë.
“Por dikush si Avdullahu, që ka tashmë 71 ndeshje garuese në pjesën qendrore të mesfushës, në moshë kaq të re dhe që është në mesin e katër organizatorëve më të mirë në botë më të rinj se 21 vjet, nuk ka pse të frikësohet. Avdullahu momentalisht nuk është duke e konsideruar se për cilën përfaqësuese do të luajë. Fokusi i tij është te Hoffenheimi. Klubi i Bundesligës e fillon fazën përgatitore më 4 korrik. Avdullahu është lojtari kryesor në planet e trajnerit”, shkruan “Blick”.
Me kalimin te Hoffenheimi, Avdullahu mori një vendim të rëndësishëm për të ardhmen. I mbetet edhe një vendim tjetër, prej të cilit shpresohet se do të përfitojë shumë Kosova.