Skenat e festimeve me flakadanë në Australi janë të pazakonta pas ndeshjeve të Kupës së Botës në futboll. Por, të shtunën, një skenë e tillë ndodhi në sheshin “Fed” të Melburnit, pasi Australia mposhti Tunizinë për vetëm fitoren e tretë në 18 ndeshje të luajtura në Botëror.
Tani Australia kërkon diçka edhe më të madhe - arritjen në 1/8 e finales të ngjarjes më të madhe të futbollit. Këtë Australia e ka arritur vetëm një herë në vitin 2006.
Australia përballet me gjysmëfinalisten e Kampionatit Evropian, Danimarkën, në ndeshjen e fundit në grup. Fituesja pritet të avancojë. Kjo ndeshje luhet të mërkurën prej orës 16:00.
“Ishte një reagim i mahnitshëm. Dhe një reagim i tillë duhet të jetë edhe pas ndeshjes me Danimarkën. Por ende nuk kemi arritur asgjë”, tha sulmuesi i Australisë, Mitchell Duke, i cili shënoi me goditje me kokë në fitoren 1:0 kundër Tunizisë.
“Tani ne duam më shumë dhe besojmë se mund të dalim nga grupi. Për ta bërë këtë duhet të marrim një rezultat të favorshëm kundër Danimarkës, dhe ky është objektivi ynë kryesor tani”.
Kampionia në fuqi e botës, Franca, tashmë e ka konfirmuar kalimin në 1/8 e finales nga Grupi D, falë gjashtë pikëve nga dy ndeshjet e para. Australia është e dyta në grup me tri pikë, ndërsa Danimarka e Tunizia kanë vetëm nga një pikë.
Danimarka duhet të fitojë dhe të shpresojë që Tunizia mos ta mposhtë Francën. Megjithatë, si Australia ashtu edhe Danimarka besojnë në një paraqitje dinjitoze të Francës në duelin me Tunizinë.
“Franca në radhët e veta ka lojtarë të uritur për çmime individuale. Aty është Mbappe, i cili dëshiron të vazhdojë me shënimin e golave në këtë turne. Kështu që besoj fuqishëm se Franca do të luajë me mentalitetin e njëjtë për ta fituar edhe ndeshjen e tretë, duke na e bërë një favor të madh”, shtoi Duke.
Australia u pati përballur me Danimarkën edhe para katër vjetësh në fazën e grupeve. Dueli i luajtur në Rusi përfundoi me rezultatin 1:1.
Te Danimarka janë të motivuar para ndeshjes së fundit në grup. Danezët janë të bindur se do të luajnë shumë më mirë sesa në barazimin pa gola ndaj Tunizisë dhe humbjen 2:0 nga Franca.
“Është shumë e qartë dhe shumë e lehtë. Ne nuk kemi nevojë për të bërë kalkulime apo të mendojmë për opsionet e tjera. Ne duhet ta fitojmë ndeshjen për të avancuar tutje, pikë”, ka insistuar trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand. “Ne e kemi parasysh këtë dhe do të futemi në fushë për ta bërë detyrën tonë”.
Danimarka do të jetë edhe më e motivuar për të triumfuar pasi për këtë ndeshje i kthehet në përbërje mbrojtësi Simon Kjaer. Kjaer mungoi ndaj Francës për shkak të lëndimit që e pësoi në duelin e parë ndaj Tunizisë. Hjulmand ka konfirmuar kthimin e mbrojtësit të Milanit.