Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar përgatitjet para ndeshjes kualifikuese për “Euro 2024” kundër Izraelit. Të enjten “Dardanët” kanë mbajtur stërvitjen e katërt, e cila ishte e fundit para nisjes për në Izrael.
Kosova të shtunën do të përballet me Izraelin në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për Evropianin e vitit të ardhshëm. Ekspedita e Kosovës të premten në mëngjes do të niset për në Izrael, ndërsa në Tel- Aviv do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para duelit të parë kualifikues. Kjo ndeshje luhet në “Bloomfield Stadium” në Tel-Aviv dhe i takon Grupit I.
Në stërvitjen e së enjtes selektori Alain Giresse ka shpalosur në praktikë idenë dhe skemën e lojës kundër Izraelit. Sipas FFK-së, e rëndësishme është se të gjithë futbollistët janë në dispozicion për këtë ndeshje dhe asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë shqetësim. Atmosfera brenda ekipit ka vazhduar të jetë e mirë, ndërsa synimi i të gjithëve është kualifikimi në turneun e madh që do të mbahet vitin tjetër në Gjermani.
Sulmuesi i krahut, Arbnor Muja, i cili për herë të parë është grumbulluar me Kosovën, ka thënë se po ndihet i privilegjuar që është pjesë e grupit. Ai në fillim të këtij edicioni u transferua tek Antwerpi në Belgjikë nga Drita e Gjilanit. Muja ka thënë se janë përgatitur mirë për duelin me Izraelin dhe beson në rezultat pozitiv.
“Është hera e parë që jam me ekipin kombëtar. Është një ndjenjë shumë e mirë të jem pranë këtyre lojtarëve, pranë kombëtares dhe vendit që jam rritur. Ndihem shumë i privilegjuar të jem në këtë mes. Është një ndjenjë të cilën kam pritur ta përjetoj edhe më herët, mirëpo s’ka qenë koha e duhur, por tash mendoj se është diçka fenomenale. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe të dëshmuar edhe në ekipet e tyre, derisa bashkë me stafin e trajnerëve po përgatitemi shumë mirë për ndeshjet kundër Izraelit dhe Andorrës. Besoj në këtë grup dhe në rezultate pozitive në të dyja ndeshjet”, tha Muja.
Edhe sulmuesi Albion Rrahmani është optimist për rezultat pozitiv ndaj Izraelit. Rrahmani është lojtari i vetëm nga Superliga që është ftuar nga trajneri Giresse për këto dy ndeshje kualifikuese. Ai është pjesë e Ballkanit të Suharekës, ndërsa këtë sezon ka shënuar 14 gola.
“Është një ndjenjë e veçantë të jesh pjesë e Kombëtares së Kosovës. Unë këtu jam lindur dhe rritur si futbollist. Shpresoj ta ndihmoj ekipin në objektivat e tij dhe të kualifikohemi në ‘Euro 2024’. Besoj në rezultat pozitiv pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe të gjithë janë në ecuri të mirë në klubet e tyre. Shpresoj ta dëshmojnë këtë edhe në ekipin kombëtar dhe pse jo të arkëtojmë tri pikë atje”, ka thënë Rrahmani, që ka thënë se ndihet i privilegjuar që është përfaqësuesi i vetëm i Superligës së Kosovës në përfaqësuese.
“Zgjedhja e trajnerit Alain Giresse më ka dhënë motiv jashtëzakonisht shumë që të vazhdoj me gola në Superligë. Por, fillimisht shpresoj të nxjerrim rezultate pozitive me kombëtaren e pastaj të vazhdoj me përmbushjen e objektivave me klubin”.
Tri ditë pas ndeshjes me Izraelin, Kosova do të përballet me Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova gjatë këtij cikli eliminator do të ketë punë edhe me Zvicrën, Bjellorusinë e Rumaninë.