Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Atletico refuzon t’ia bëjë “gardën e nderit” Realit

Atletico Madrid

Skuadra e Diego Simeones, Atletico Madrid, nuk ka gjasa t'u bëjë nderime kampionëve të sapokurorëzuar të La Ligas, kur do të takohen në derbin e qytetit në stadiumin “Wanda Metropolitano”.

Dy futbollistët e Atletico Madridit, mbrojtësi Jose Gimenez dhe portieri Jan Oblak, kanë sugjeruar se skuadra nuk do të jetë e gatshme t'ia bëjë gardën e nderit Real Madridit, përpara ndeshjes derbi në fundjavë.

E përditshmja “Marca” ka raportuar se edhe futbollistët e tjerë te Atletico Madridit janë kundër gardës së nderit për rivalin e përbetuar të qytetit.

Real Madridi u kurorëzua me titullin e 35-të në La Liga pas fitores 4:0 kundër Espanyolit të shtunën, duke e marrë trofeun nga fituesi i edicionit të kaluar, Atletico. Atletico do të mirëpresë kampionin e këtij edicioni më 8 maj, por skuadra e trajnerit Simeone pritet të mos duartrokas kundërshtarët në fushë në përputhje me traditën. Një gjë të tillë e konfirmoi mbrojtësi Gimenez.

“Një gardë nderi për Realin? Ne i urojmë ata për titullin e fituar që ishte i merituar, por kemi shumë respekt për tifozët tanë”, insistoi Gimenez.

Oblak ishte i mendimit të njëjtë me Gimenezin, por shtoi se skuadra do të ndjekë çfarëdo protokolli që klubi vendos përpara ndeshjes. Në fakt, Oblak dhe disa lojtarë të tjerë e kujtojnë shumë mirë vitin 2014 kur e fituan titullin e kampionit dhe Reali nuk e bëri gardën e nderit për ta.

Te Reali u patën arsyetuar me faktin se përballja nuk ishte në kuadër të La Ligas, por finalja e Ligës së Kampionëve.

“Si kapiten jam një nga ata që nuk më pëlqen të bëjë apo të më ofrohet garda e nderit”, tha portieri i Atleticos. “Klubi do të vendosë dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme”.

Si Gimenez ashtu edhe Oblak folën për këtë çështje të hënën, një ditë pas humbjes së Atleticos në udhëtim te Athletic Bilbao me rezultatin 2:0.

Përkundër humbjes, Atletico mbetet në pozitën e pestë në La Liga, me katër pikë më shumë se Real Betisi i vendit të pestë, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Skuadra e Simeones ka pasur një edicion të paqëndrueshëm, i cili tani është i destinuar të përfundojë pa një trofe. Skuadra nuk mund ta përballojë humbjen nga Real Madridi që mund t’i minimizojë gjasat e Atleticos për të siguruar pjesëmarrjen në Champions për edicionin 2022/23.

Ndërkohë të ashpra ishin reagimet e tifozëve të Real Madridit në rrjetet sociale kur kuptuan qëndrimin e Atleticos para duelit të vikendit. Ata thonë se përkundër inatit që kanë mes vete, Atletico duhet të reflektojë dhe ta respektojë Realin për titullin e fituar. Atletico ishte prej skuadrave të pakta në La Liga që nuk e uruan Realin për titullin e fituar. Edhe Barcelona nëpërmjet një postimi në “Twitter” e përgëzoi Realin për suksesin e këtij edicioni.

Për shkak të mosrespektit, tifozët e Realit kanë kërkuar nga ekipi i tyre që ta mposhtin Atleticon në derbin e Madridit për ta dërguar në Ligën e Evropës.

Artikuj të ngjashëm