Nuk do të ketë “tunel” apo gardë nderi kur Real Madridi dhe Atletico Madridi të ringjallin rivalitetin e tyre në duelin e dytë prej tri ndeshjeve mes klubeve madrilene në më pak se një muaj. Ndeshja e 1/8 së finales në kuadër të Kupës së Mbretit, që luhet të enjten në stadiumin e Atleticos prej orës 21:30, përcakton ekipin që do të avancojë në çerekfinale të kësaj gare. Në fakt kjo ndeshje e Kupës do të vijë më pak se një javë pasi Reali mundi 5:3 Atleticon pas vazhdimeve në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Reali fitoi trofeun e Superkupës duke e mposhtur Barcelonën në finale dhe tifozët e klubit donin që Atletico të ruante traditën e “gardës së nderit” në të cilën lojtarët rreshtohen për të duartrokitur kundërshtarët e tyre, ndërsa hyjnë në fushë para fillimit të ndeshjes.
Por një gjë të tillë nuk e duan tifozët e Atleticos dhe klubi do ta respektojë kërkesën e tyre, tha trajneri Diego Simeone të mërkurën.
“Ne kemi respekt të madh për kundërshtarin tonë, për trajnerin dhe lojtarët e tij. Ne i urojmë ata, por tifozët tanë janë para çdo gjëje dhe ne do t'i respektojmë fansat tanë”, ka thënë Simeone.
Atletico edhe më herët nuk e kishte bërë “gardën e nderit” kur kishte pritur Realin pasi kishte fituar titullin e kampionit të La Ligas.
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka thënë se klubi i tij nuk do të kishte vepruar sikurse Atletico, por shton se respekton vendimin e kundërshtarit, cilido qoftë ai.
Edhe
Tjetër superndeshje në Madrid
“Respektoj vendimin e çdo klubi. Mendoj se është shumë mirë nëse e bëjnë, por edhe shumë mirë edhe nëse nuk e bëjnë gardën. Nuk u jap rëndësi të madhe gjërave të tilla. Të gjitha ekipet mund të bëjnë çfarë të duan, ndonëse Reali i bën gjërat ndryshe. Nuk dua të përfshihem në këtë”, tha ai.
Ancelotti ka pranuar se pret ndeshje edhe më të fortë të enjten sesa ajo në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, kur Atletico dy herë ishte në epërsi përpara se Reali ta barazonte rezultatin për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Këto dy skuadra do të takohen sërish në kuadër të La Ligas, në duelin që luhet më 4 shkurt.
Reali është i dyti në tabelë me 48 pikë, një më pak se Girona që prin, por që ka një ndeshje më shumë të luajtur. Atletico është e pesta dhe ka dhjetë pikë më pak se Reali.
Derbin e parë të ligës spanjolle të luajtur në shtator e ka fituar Atletico me rezultatin 3:1 dhe kjo është humbja e vetme e Real Madridit këtë edicion në të gjitha garat. Pas kësaj humbjeje Reali ka një seri prej 21 ndeshjeve pa humbje, ku ka 17 fitore dhe katër barazime.
Edhe
Te Real Madridi vlerësojnë rivalin e qytetit
“Ne kemi më shumë se kurrë nevojë për tifozët tanë për të na ndihmuar ta eliminojmë Realin në shtëpinë tonë”, ka thënë Simeone.
Real Madridi është fitues në fuqi i Kupës së Spanjës, ndërsa Atletico këtë trofe nuk e ka fituar prej vitit 2013. Edicionin e shkuar Reali e eliminoi Atleticon në çerekfinale të Kupës, duke e mposhtur me rezultatin 3:1 pas vazhdimeve, në stadiumin “Santiago Bernabeu”.