Kampioni i ri i elitës së futbollit spanjoll nuk duhet të presë ndonjë tretman të veçantë të dielën, kur luan në shtëpinë e rivalit më të urryer, ka shkruar agjencia e lajmeve “AP” të shtunën.
Atletico Madridi ka thënë se nuk do ta bëjë gardën e nderit, ku lojtarët e njërit ekip duartrokasin kundërshtarët e tyre në momentin kur hyjnë në fushë para ndeshjes. Real Madridi në derbin e së dielës në “Wanda Metropolitano”, nuk do ta përjetojë një gjë të tillë. Dueli nis në orën 21:00.
“E urojmë Real Madridin, lojtarët e vet dhe stafin e trajnerëve, sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë të shtunën trajneri i Atleticos, Diego Simeone, një ditë para ndeshjes.
“E respektoj Realin pasi është bërë kampion, por ne kemi më shumë respekt për tifozët tanë, ata të cilët gjithmonë janë me ne”.
Reali e fitoi titullin e 35-të në ligën e Spanjës vikendin e kaluar, kur kishin mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar, pasi e mposhti Espanyolin, 4:0.
Garda e nderit nuk praktikohet gjithmonë në futbollin e Spanjës. Por shpeshherë, kundërshtari i parë që përballet me kampionin e ri, bëjnë nderimet e tyre në këtë mënyrë. Është një praktikë që nuk realizohet në secilën ligë. Si Simeone, i cili është argjentinas, ashtu edhe trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, i cili është italian, kanë thënë se kjo nuk bëhet në shtetet e tyre.
Ancelotti me pamje gjithmonë të relaksuar u mundua që ta minimizonte vendimin e Atletico Madridit.
“Secili duhet të bëjë atë që mendon se është më e mira dhe ne duhet ta respektojmë këtë gjë. Ne e kemi respektin më të madh për Atleticon, për futbollistët e këtij ekipi dhe për trajnerin e tyre”, ka thënë Ancelotti në konferencën për shtyp, një ditë para ballafaqimit.
“Ata janë fqinjët tanë, shokët tanë. Nëse e bëjnë një gjë të tillë do të jetë në rregull, por nëse nuk e bëjnë, edhe kjo është në rregull po ashtu. Ne do ta respektojmë vendimin, pavarësisht se cili do të jetë ai”, ka nënvizuar tekniku italian.
Real Madridit nuk i ka mbetur asgjë për të luajtur në ligë. Madrilenët do ta përdorin ballafaqimin me Atletico Madridin të dielën si përgatitje për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.
Finalja e “Championsit” zhvillohet të shtunën, më 28 maj.
Atletico, megjithatë, duhet që të marrë pikë nga ky takim në mënyrë që ta sigurojë përfundimisht plasmanin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Por për ta mposhtur kampionin e Spanjës, të udhëhequrit e Simeones e dinë mirë se duhet të jenë në formën më të mirë, e të shmangin ndonjë humbje befasuese.
Për vendin e katërt në tabelë në garë janë edhe dy skuadra të tjera. Atletico Madridi ka 61 pikë në vendin e katërt, Real Betisi është i pesti me 58 pikë, ndërsa Real Sociedadi i gjashti me 56 pikë.
Real Madridi hyn në këtë ndeshje me motivim edhe më të madh pas paraqitjes mbresëlënëse në mesjavë kur e eliminoi Manchester Cityn me rezultatin 6:5, për t’u plasuar në finalen e 28 majit në Paris. Në finale luan kundër Liverpoolit.
Dhe kjo ndeshje vjen vetëm katër ditë pasi Carlo Ancelotti fitoi edhe një tjetër titull si trajner.
Ancelotti u bë trajneri i parë që fiton tituj në pesë ligat më të forta të Evropës. Triumfoi me Milanin, Chelsean, Bayern Munichun, Paris Saint-Germainin dhe tani me Real Madridin.
Në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave, Reali fitoi 2:0.