Atletico Madridi ka shprehur interesim për mbrojtësin e krahut të djathtë, Cesar Azpilicuetan që është pjesë e skuadrës së Chelseat, kanë njoftuar të hënën mediumet spanjolle. Mësohet se te Atletico po e shohin Azpilicuetan si përforcim të duhur për mbrojtjen pasi prej ekipit spanjoll në verë pritet të largohen Kieran Trippier, Sime Vrsaljko e Jose Gimenez.
Azpilicueta është kapiten i Chelseat dhe ende nuk e ka rinovuar kontratën që i skadon vitin e ardhshëm. Atletico pritet së shpejti të bëjë gati një ofertë prej 15 milionë eurosh për ta bindur Chelsean në lirimin e 28-vjeçarit. Azpilicueta këtë edicion ka 35 ndeshje në të gjitha garat ku ka shënuar një gol dhe ka bërë dy asistime. Ai është pjesë e ekipit nga Londra prej vitit 2012 kur iu bashkua nga Marseille.