Mesfushori i Shqipërisë, Kristjan Asllani, është shprehur tejet i emocionuar në prag të finales së Superkupës së Italisë, në të cilën ekipi i tij, Interi, do të përballet me Milanin. 20-vjeçari ka pranuar se asnjëherë nuk ka luajtur në një ndeshje kaq të madhe, ndërsa shpreson ta fitojë trofeun e parë me fanellën e Interit.
Superkupa e Italisë do të zhvillohet më 18 janar në Riad të Arabisë Saudite, ndërsa Asllani ka gjasa të mëdha të jetë titullar tek Interi, sidomos pas paraqitjes fantastike që e pati në fitoren ndaj Parmas në kuadër të Kupës së Italisë. Interi të martën mbrëma avancoi në çerekfinale të Kupës së Italisë, pasi triumfoi 2:1 pas dy vazhdimeve nga 15 minuta. Ndërkohë, Asllani ishte i përfshirë në dy golat e Interit që triumfoi me përmbysje dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.
“Me padurim po e pres ndeshjen e Superkupës dhe jam shumë i emocionuar për shkak se nuk jam mësuar të luaj në duele të tilla të rëndësishme. Megjithatë, para se të mendojmë për Milanin dhe trofeun, të fokusohemi në ndeshjen e radhës që e kemi në kampionat kundër Veronës dhe të marrim fitore pasi kemi humbur disa pikë në duelet e fundit. Synimi është ta fitojmë edhe titullin, kështu që duhet të kompensohemi”, është shprehur Asllani për mediumet italiane.
Ndaj Parmas, Asllani ishte i pazëvendësueshëm tek Interi, ndërsa kjo ishte paraqitja e tij e 14-të këtë edicion në të gjitha garat. Ai iu bashkua Interit para fillimit të këtij sezoni nga Empoli dhe vlerësohet si njëri prej mesfushorëve më premtues në Serie A.
“Ishte shumë e rëndësishme ta fitonim ndeshjen e parë në kupë, pasi kjo është gjithmonë më e vështira. Patëm telashe në pjesën e parë, por pastaj u rikthyem dhe merituam plotësisht fitoren. Jam i lumtur që kemi avancuar tutje pasi duam të bëjmë mirë në të gjitha garat që paraqitemi”, është shprehur Asllani, i cili është treguar modest kur u pyet për përfshirjen e tij në aksionet e dy golave të Interit. “Nuk e di, pasi nuk më kujtohet saktësisht. Do ta shikoj edhe një herë ndeshjen. Por, me e rëndësishmja për mua është që fituam dhe tani të kthejmë fokusin te ndeshjet e tjera që na presin”.
Interi është fitues aktual i Kupës së Italisë dhe në finalen e Superkupës do të përballet me Milanin, kampionin në fuqi të Serie A. Interi e ka fituar gjashtë herë Superkupën e Italisë, ndërsa herën e fundit triumfoi në vitin 2021. Milani ka shtatë trofe të tillë, të fundit në vitin 2016. Kjo ndeshje do të luhet në “King Fahd International Stadium” që ka një kapacitet prej 68.752 ulësesh.