E ardhmja e mesfushorit me tipare sulmuese, Marco Asensios nuk është te skuadra e Real Madridit. E përditshmja spanjolle “Marca” ka shkruar të premten se krerët e klubit kanë vendosur ta nxjerrin në shitje Asension në verë.
Klubi i ka bërë me dije lojtarit se nuk do t’ia ofrojë rinovimin e kontratës që i skadon vitin tjetër dhe Asensio është në pritje të ofertave nga skuadrat tjera.
Te Reali kanë marrë një vendim të tillë pasi nuk mund ta përballojnë ndryshe transferimin e francezit Kylian Mbappe, i cili pritet t’i bashkohet si lojtar i lirë në fund të sezonit.
Asensio 26-vjeçar këtë sezon ka pasur paraqitje të mira te Reali dhe ka shënuar tetë gola në të gjitha garat deri më tani. Për kartonin e tij, Reali po kërkon rreth 40 milionë euro.