Sport

As Koemani nuk do t’i shpëtojë “rinovimit total” te Barcelona

“Ne e zgjodhëm atë, sepse ai e njeh Barcelonën”, tha presidenti i atëhershëm i klubit, Josep Maria Bartomeu. Nëntë muaj pas, Ronald Koeman do ta dijë saktësisht se si funksionon te klubi i madh.

Barcelona u stabilizua, u përmirësua, fitoi Kupën e Spanjës, por duket se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme që trajneri Koeman t’i shpëtojë shkarkimit në fund të sezonit, pavarësisht që bëri shumë. Joan Laporta, i cili pasoi Bartomeun si president në zgjedhjet e muajit mars, tha se një “cikël ka mbaruar” te Barcelona dhe megjithëse ai mund t'i ishte referuar transferimit të lojtarëve të shtrenjtë, një rinovim në ekip nënkupton gjithashtu edhe një trajner të ri për sezonin e ardhshëm. Laporta tha se “një proces rinovimi” është gati të fillojë, por kjo ishte kompetenca e Koemanit dhe në shumë mënyra ai ka bërë atë që i kërkohej, duke mbikëqyrur një vit transicioni, në të cilin shpresa dhe respekti u rivendosën.

“Prej javës tjetër do të nisim me procesin e rinovimit në klub, pasi do t’i shikoj rezultatet e ekipit dhe paraqitjen e të gjithëve. E kemi fituar Kupën, por i kemi humbur Ligën e Kampionëve dhe La Ligan”, paralajmëroi Laporta.

Në fakt, Barcelona e pati mundësinë të luftonte për titullin e kampionit, por një humbje dhe dy barazime në tri ndeshjet e fundit, e nxorën plotësisht nga loja dhe këtë duket se nuk e ka pritur mirë presidenti Laporta. Kur ka mbetur edhe një xhiro deri në fund të këtij sezoni, Barça zë vendin e tretë në tabelë me 76 pikë, shtatë më pak se Atletico Madridi që është lider, kurse Real Madridi renditet i dyti (81). Kështu që gara për titullin e kampionit do të jetë mes Atletico Madridit dhe Real Madridit derisa Barcelona do të mundohet ta konfirmojë pozitën e tretë në duelin ndaj Eibarit. Koeman rezultatet e këtij sezoni te Barcelona i sheh pozitivisht për shkak të ndryshimeve që klubi i kërkoi kur ia besoi detyrën e trajnerit.

“Barcelona nuk ishte gati këtë sezon të fitojë shumë gjëra. Duhet të jemi realistë, kjo për shkak të ndryshimeve që i kemi bërë”, ka thënë Koeman, i cili ka kontratë deri në vitin 2022.

Për një kohë shumë njerëz iu nënshtruan teorisë së Koemanit për pritjet modeste, por niveli i kërkuar për të fituar në Spanjë është treguar të jetë më i ulët se në Evropë. Kur Koeman arriti te Barcelona, ai ishte “mirëpritur në shtëpi” si një “legjendë blaugrana”, por qëllimi i tij ishte që të bënte ndryshime në skuadër të bënte një rifillim dhe të sillte ndryshime. Ai kishte për detyrë të ishte zë i fuqishëm në zhveshtore, gjë që duket se ndikoi për të keq te disa prej lojtarëve më të suksesshëm të Barcelonës. Atij iu tha që ta bënte të lumtur yllin Lionel Messi pasi klubi e shiti Luis Suarezin, partnerin e sulmit, fqinjin dhe mikun më të mirë të argjentinasit.

Koeman u nxit që ta kthejë vëmendjen te të rinjtë, jo gradualisht, por menjëherë, në mënyrë që të mbulonte paaftësinë e klubit për të blerë lojtarë të dëshmuar. Messi kishte filluar ngadalë, por e gjeti formën dhe dukej se kënaqej me rolin e tij si mentor për të rinjtë. Frenkie de Jong dukej më mirë se kurrë dhe Pedri e shfrytëzoi rastin të shkëlqejë. Oscar Mingueza, Sergino Dest, Ronald Araujo dhe Ilaix Moriba kanë depërtuar falë Koemanit.

Mirëpo, në ndeshjet më të mëdha, Barcelona vazhdimisht dështonte. Mori vetëm një pikë nga katër ndeshjet kundër Atletico Madridit dhe Real Madridit, ndërsa eliminimi në Ligën e Kampionëve nga Paris Saint-Germaini ishte i papërballueshëm. Gjatë ndeshjeve, zëvendësimet e Koemanit nuk ishin shumë të qëlluara, kurse pas ndeshjeve, ai gjithmonë ankohej në arbitra dhe sistemin VAR. Barça mund të ketë qenë skuadra më e mirë sulmuese në kampionat, por reparti i mbrojtjes, që është treguar shumë i dobët në vitet e fundit, mbetet ende enigmë e pazgjidhur.

“Kur Koemanit iu kërkua të rregullonte gjërat, ai e bëri mirë, por kur u bë puna për të fituar, ai humbi kontrollin, dhe kjo pritet t’i kushtojë me largim nga klubi, që po kërkon përsëri ndryshime sezonin e ardhshëm”, ka shkruar “Mundo Deportivo”.