Arsenali të mërkurën u eliminua nga Kupa e Ligës, por ekipi i drejtuar nga Mikel Arteta synon ta ruajë vendin e parë në Premier League përpara se të nisë Kupa e Botës në Katar. Për ta arritur këtë Arsenali do ta kërkojë fitoren përballë Wolverhamptonit. Ndeshja Wolverhampton - Arsenal luhet të shtunën prej orës 20:45 dhe i takon xhiros së 16-të në Premier League.
Botërori nis më 20 nëntor dhe ligat evropiane shkojnë në pushim të detyrueshëm për një muaj. Në fundjavë luhen ndeshjet e fundit para pushimit të gjatë.
Arsenali, pjesë e të cilit është Granit Xhaka, është lider me 34 pikë, dy më shumë se kampioni në fuqi, Manchester City. Arsenali dhe City kanë nga 13 ndeshje të luajtura. Në ndeshjen ndaj Wolvesit, Arsenali hyn pas eliminimit nga Brightoni në Kupën e Ligës, ndërsa Wolverhamptoni eliminoi Leeds Unitedit. Vetëm tri pikët ndaj “Topçinjve” do ta largojnë nga zona e rënies. Wolverhamptoni është në vendin e parafundit me dhjetë pikë nga 14 ndeshje të zhvilluara.
Të shtunën luan edhe City. Prej orës 13:30 e pret Brentfordin. Brentdfori është në vendin e 11-të me vetëm tri fitore këtë edicion.
Chelsea, që ka mbetur prapa në garën për titull, ka një udhëtim të vështirë. Luan ndaj Newcastle Unitedit, që zë vendin e tretë dhe nuk ka pësuar humbje që nga gushti. Në tetë ndeshjet e fundit, Newcastle ka shtatë fitore dhe një barazim.
Liverpooli është këndellur së fundi duke fituar tri ndeshje rresht dhe të shtunën në shtëpi përballet me Southamptonin.