Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arsenali është maksimalisht i motivuar të luftojë me Cityn për titull

Arsenali është “shumë i motivuar” për të garuar me Manchester Cityn në garën për titullin e kampionit në Premier League. Kështu insistoi të premten trajneri i londinezëve, Mikel Arteta. Arsenali ra në vendin e dytë në renditje pas humbjes 3:1 në mesjavë ndaj skuadrës së Pep Guardiolas, Cityt.

Arsenali humbi vendin e parë të cilin e kishte mbajtur që nga muaji gusht. Mbeti prapa Cityt për shkak të goldallimit, pasi të dyja skuadrat janë të barabarta me nga 51 pikë. Skuadra e Artetas megjithatë ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe të shtunën luan në udhëtim ndaj Aston Villas, e cila drejtohet nga ish-trajneri i Arsenalit, Unai Emery.

“Unë i di gjërat e duhura që duhet të bëjmë për të vazhduar të jemi në krye të tabelës”, tha Arteta.

Trajneri spanjoll shtoi me bindje të plotë se Arsenali do ta mundë kampionin në fuqi, Cityn, në garën për titullin e kampionit.

“Ne kemi parë se ku është niveli dhe çfarë duhet të bëjmë për të qenë në atë nivel. Ka shumë gjëra pozitive për të marrë nga sezoni i deritanishëm. Ne e dimë se niveli i efikasitetit duhet të jetë i mirë në çdo ndeshje për ta mundur Cityn në fund. Ne jemi shumë të motivuar për ta bërë këtë”.

Edhe Arteta insiston se Arsenali është ende në garë për titull të kampionit Sport Arteta insiston se Arsenali është ende në garë për titull të kampionit

Arteta i kërkoi skuadrës së tij të jetë më efikase në ndeshjet që e presin deri në fund të edicionit. Londinezët morën vetëm një pikë në tri ndeshjet e fundit të ligës.

“Me lojën që kemi treguar dhe situatat që kemi krijuar, ne nuk kemi marrë pikë të mjaftueshme. Është dashur të marrim më shumë pikë dhe këtë duhet ta kompensojmë në duelet që na presin”, është shprehur Arteta. “Tani na mbetet të përmirësohemi dhe t’i fitojmë ndeshjet që i kemi para vetes. E gjitha varet nga ne dhe për këtë arsye besoj fuqishëm në titullin e kampionit”.

Arteta ka thënë se Arsenali është maksimalisht i motivuar për ta vazhduar rrugën që e nisi në fillim të këtij sezoni dhe për ta arritur objektivin që i ka vënë vetes. Herën e fundit Arsenali e ka fituar titullin e kampionit në vitin 2004.

“Ne jemi shumë të motivuar jo vetëm për duelin me Aston Villan, por për të gjitha ndeshjet e tjera. Megjithatë, fillimisht duam të bëjmë një paraqitje të mirë duke e mposhtur Aston Villan dhe pastaj të dalim dhe t’i fitojmë duelet që i kemi”, shtoi Arteta.

Edhe Tek Arsenali pranojnë rolin e favoritit për edicionin e ri të Premier Leagues Futboll Tek Arsenali pranojnë rolin e favoritit për edicionin e ri të Premier Leagues

Mesfushori Thomas Partey do t'i nënshtrohet një vlerësimi për ndeshjen e së shtunës për shkak të një problemi muskulor, ndërsa Emile Smith Rowe pritet të përfshihet në ekip ndaj Aston Villas. Arsenali ende do të jetë pa sulmuesin Gabriel Jesus, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që e pësoi në gju në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

“Kemi një mundësitë mirë dhe vazhdimisht kam folur me lojtarët që nuk duhet ta shpërdorojmë këtë rast. Edhe pse ka shumë ndeshje deri në fund të sezonit, ne mund të shpallemi kampion. Tifozët tanë e meritojnë një gëzim të tillë për të cilin kanë shumë vjet që po presin”, ka thënë Arteta. “Jemi të motivuar për të luftuar deri në ndeshjen e fundit me Cityn për titull. Jam i bindur se do ta bëjmë këtë pasi kam besim në këtë ekip. Ndonjëherë ju do të humbni një ose dy ndeshje, por duhet të vazhdoni para”, tha Arteta.