Lotët po rrjedhin nga yjet më të mëdhenj të futbollit teksa po bëjnë largimin emocional nga ai që mund të jetë Botërori i tyre i fundit.
Fillimisht ishte Neymari. Më pas i Cristiano Ronaldos. A mund të jetë Lionel Messi, ylli i radhës? Apo ndoshta po vjen momenti që Messi ta fitojë çmimin më të madh në futboll.
Futbollisti 35-vjeçar e ka çuar Argjentinën në gjysmëfinale, pothuajse në të njëjtën mënyrë si Diego Maradona - me të cilin Messi krahasohet shpesh –udhëhoqi vendin e Amerikës së Jugut drejt titullit të dytë dhe të fundit të Botës në vitin 1986. Në rrugën e Argjentinës drejt finales është Kroacia, përfaqësuesja e një vendi me popullsi prej 4 milionë banorësh, që po krijon reputacion si kundërshtarja më “kokëfortë” dhe më e qëndrueshme. Kroacia mburret me një nga lojtarët më të mirë të futbollit që e ka në radhët e veta, mesfushorin Luka Modriq.
Përfaqësueset dalin ballë për ballë njëra-tjetrës në stadiumin “Lusail”, në takimin e dy nënkampioneve të fundit: Argjentinës në vitin 2014 dhe Kroacisë në vitin 2018.
Ndeshja Argjentina – Kroacia luhet të martën prej orës 20:00.
Mund të pritej që Argjentina të ishte në këtë pozitë. Skuadra mbërriti në Kupën e Botës si fituese e Kupës së Amerikës, në një seri prej 36 ndeshjesh pa humbje dhe me Messin të kthyer në formë fantastike te Paris Saint-Germaini. Messi këtë formë e ka vazhduar edhe në Katar, ku ka shënuar katër gola deri më tani.
“Ai është lideri ynë, na udhëheq dhe na motivon. Kur e kemi Messin në fushë, kemi diçka më shumë se kundërshtari. Ne jemi krenarë që Messi është kapiteni ynë, pasi ai do të jetë çelësi edhe në triumfin ndaj Kroacisë”, ka thënë mbrojtësi i krahut, Nicolas Taglafico, të hënën.
Ndërkohë, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni përpara se të flas për duelin me Kroacinë, është fokusuar te dueli ndaj Holandës. Ai ka hedhur poshtë kritikat për sjelljet e futbollistëve të tij pas ndeshjes, e cila shkoi deri në penallti.
“Duhet ta harrojmë këtë. Ne humbëm ndeshjen e parë ndaj Arabisë Saudite por u larguam në mënyrë të qetë dhe vazhduam përgatitjet për duelet që na prisnin. Ne e respektojmë Holandën, ashtu siç e respektojmë edhe Kroacinë”, insistoi Scaloni, i cili pastaj foli për duelin e së martës mbrëma. “Jemi gati, por e kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë. Sigurisht, synimi është të shkojmë tutje por mbetet të shihet”.
Kishte dukshëm më pak zhurmë rreth kroatëve, megjithëse ata vazhdojnë të befasojnë ashtu si katër vjet më parë kur arritja deri në finale përfshinte edhe një fitore 3:0 ndaj Argjentinës në fazën e grupeve. Ata gjithashtu arritën në gjysmëfinale të Kupës së Botës në vitin 1998.
Trajneri Zlatko Daliq tha se paraqitjet e ekipit në Rusi e në Katar janë inspirim për autsajderët, sikurse Maroku.
“Çdokush në jetë ka të drejtë të ëndërrojë dhe Kroacia këtë ëndërr e ka bërë realitet për shtetet e vogla para katër vjetësh. Ne u kemi dhënë këtyre vendeve të drejtën për të ëndërruar. Kjo na bën krenar dhe sigurisht se është diçka madhështore të futesh në mesin e katër ekipeve për Botërorin e dytë rresht. Por ne duam më shumë se gjysmëfinalja”, ka deklaruar Daliq.
Të dyja skuadrat kanë kaluar momente të pakëndshme në Katar. Koha më e errët e Argjentinës ishte pikërisht në fillimin e turneut, pas një humbjeje 2:1 ndaj Arabisë Saudite në atë që konsiderohet si një nga befasitë më të mëdha të Kupës së Botës. E frymëzuar nga Messi dhe një nga tifozëritë më të zjarrta në Katar, Argjentina fitoi dy ndeshjet e fundit në grup. Vazhdoi duke mposhtur Australinë 2:1 në 1/8 e finales dhe më pas nëpërmjet penalltive e eliminoi edhe Holandën në një ndeshje të egër çerekfinaleje. Messi tani ka katër gola në Katar, një më pak se golashënuesi më i mirë Kylian Mbappe. Messi e Mbappe janë dy lojtarët më të shquar të Kupës së Botës, të cilët deri më tani kanë përmbushur pritshmëritë dhe kanë konfirmuar reputacionin e lartë. Edhe Modriq është aty afër. Mund të mos ketë shënuar gol dhe nuk e ka asnjë asistim. Por, asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar rëndësia që ka për Kroacinë magjistari i vogël, që e mban kontrollin në mesfushë dhe arrin të drejtojë një skuadër që lufton deri në minutën e fundit.
Në vitin 2018 secila nga ndeshjet me eliminim direkt të Kroacisë shkoi në vazhdime, përpara se skuadra kroate të humbte nga Franca në finale. Dhe e njëjta gjë po ndodh në Katar. Kroacia e eliminoi Japoninë në 1/8 e finales pas penalltive, sikurse edhe Brazilin në çerekfinale. Kroacia dukej më e rehatshme kundër Brazilit se sa kundër Japonisë, gjë që tregon se skuadra mund të jetë më e lumtur kur luan me presion dhe zgjedh momentet e saj për të avancuar, se sa të kontrollojë ndeshjet dhe të jetë më e ndjeshme ndaj kundërsulmeve. Ndalja e Messit do të jetë çelësi dhe pjesa më e madhe e përgjegjësisë i takon mesfushorit Marcelo Brozoviq, i cili e ndihmoi aq shumë mbrojtjen e Kroacisë kundër Brazilit. Argjentina do të jetë pa dy lojtarë në këtë përballje për shkak të pezullimit, pa mbrojtësin e majtë, Marcos Acuna dhe mbrojtësin e djathtë, Gonzalo Montiel. Acuna është humbja më e madhe, pasi ka bërë përshtypje që kur erdhi në ekip pas humbjes nga Arabia Saudite. Ai pritet të zëvendësohet nga Nicolas Tagliafico ndaj Kroacisë.
“Nëse arrijmë ta fitojmë këtë përballje, atëherë kjo do të jetë ndeshja më e madhe në histori të Kroacisë. Edhe ndaj Argjentinës do ta bëjmë të njëjtën gjë, pra do të japim gjithçka nga vetja”, shtoi Daliq.